Mbretëria e Bashkuar ka refuzuar aplikimet për zhvendosje të mbi 2,000 komandove afganë, pavarësisht se ata kishin luftuar përkrah forcave speciale britanike dhe ishin në rrezik nga talibanët pas rënies së Afganistanit.
Ky refuzim ka shkaktuar polemika dhe sfida ligjore, ndërsa Ministria e Mbrojtjes britanike akuzohet për mashtrim të parlamentit dhe vonesa në rishikimin e rasteve.
Komanda e Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar ka refuzuar aplikimet për zhvendosje nga më shumë se 2,000 komando afganë, të cilët kishin paraqitur prova të besueshme të shërbimit të tyre në njësi që luftuan përkrah forcave britanike në misione me rrezik të lartë kundër Talibanëve, ka konfirmuar për herë të parë Ministria britanike e Mbrojtjes.
Autoritetet britanike më parë kishte mohuar se ekzistonte një politikë e përgjithshme për të refuzuar anëtarët e njësive të njohura si “Triples”, por BBC raporton se nuk ka gjetur asnjë provë që Forcat Speciale Britanike të kenë mbështetur ndonjë aplikim për zhvendosje.
E pyetur e për këtë cështje Ministria e Mbrojtjes refuzoi të përgjigjej, shkruan BBC.
“Triples” krijuan, u trajnuan dhe u financuan nga Forcat Speciale Britanike dhe mbështetën SAS dhe SBS në operacionet në Afganistan.
Kur vendi ra në duart e Talibanëve në vitin 2021, ata u konsideruan në rrezik të madh hakmarrjeje dhe kishin të drejtë të aplikonin për zhvendosje në Mbretërinë e Bashkuar.
Refuzimi i aplikimeve të tyre ishte i diskutueshëm, pasi ndodhi në një kohë kur në Mbretërinë e Bashkuar po zhvillohej një hetim publik mbi akuzat për krime lufte nga Forcat Speciale Britanike në operacionet në Afganistan, ku “Triples” ishin të pranishëm.
Ministria e Mbrojtjes fillimisht mohoi ekzistencën e vetos, duke sugjeruar se raportimi i BBC-së ishte i pasaktë, por më vonë ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Andreë Murrison, u detyrua t’i thoshte Dhomës së përfaqësuesve se qeveria kishte mashtruar parlamentin me mohimet e saj.
Dokumentet e zbuluara në gjykatë treguan gjithashtu se, në të njëjtën kohë që Ministria e Mbrojtjes mohonte ekzistencën e vetos, ajo tashmë e dinte se çdo vendim refuzimi i bërë nga Forcat Speciale Britanike ishte potencialisht i gabuar dhe duhej të rishikohej në mënyrë të pavarur.
Qeveria kishte thënë se rishikimi do të zgjaste 12 javë, por më shumë se një vit më vonë ai ende nuk është përfunduar.
Nië officer tha se komandot afganë kishin punuar përkrah Forcave Speciale Britanike “si vëllezër” dhe ndiheshin “të tradhtuar” nga refuzimet masive.
Shumë komandove afgane janë të fshehur në Afganistan, gjë që e bën të vështirë për ta të sigurojnë përfaqësim ligjor ose të kontaktojnë Ministrinë britanike të Mbrojtjes. . Dhjetëra prej tyre thuhet se janë rrahur, torturuar ose vrarë nga Talibanët që nga marrja e pushtetit.
Ministria e Mbrojtjes tani po përballet me një sfidë ligjore mbi aspekte të rishikimit, përfshirë vendimin për të mos informuar aplikantët nëse çështja e tyre po rishikohet ose për të mos zbuluar kriteret e përdorura për përzgjedhjen e rasteve të rishikuara.
Sfida ligjore po ngrihet nga një ish-anëtar i lartë i njësive “Triples” që ndodhet tani në Mbretërinë e Bashkuar, në emër të komandove që ende janë në Afganistan.