Rreth 2 mijë pako fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit, janë refuzuar.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë për gazetarë.
Ai foli edhe për arsyet e anulimit të këtyre pakove. Procesi i vlerësimit të pakove është duke vazhduar ende.
”Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi po verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më tani, 18 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 28,099 pako, prej të cilave janë aprovuar 26,013, ndërkaq janë refuzuar 2,057. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë, etj”, ka thënë Elezi.
Elezi shtoi se gjatë votimit përmes postës, KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime dhe vetëm në përfundim të procesit të vlerësimit të tyre, do të dihet saktë se sa është numri i pakove me fletëvotime të cilat do t’i nënshtrohen numërimit.
Sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 104,924, prej të cilëve 20,324 ishin regjistruar për votim në përfaqësi diplomatike dhe votuan 15,352, ndërkaq për votimin përmes postës ishin regjistruar 84,600 shtetas”, ka shtuar Elezi.