Eksportet e Shqipërisë drejt Kosovës shënuan rritje me 91.6 për qind në janar të këtij viti, krahasuar me janarin e vitit 2024.
Referuar të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) eksportet në vlerë përgjatë muajit të parë të vitit llogariten 5,515 milionë lekë, kur në të njëjtën periudhë të vitit 2024 ato ishin 2,879 milionë lekë.
Ndërkohë rritje kanë pasur edhe improtet. Nga 712 milionë lekë që ishin në janar të 2024-ën, në janar të 2025-ës ato arritën në 884 milionë lekë.
Eksportet kryesore të Shqipërisë drejt Kosovës përfaqësohen nga eksporti i materialeve të ndërtimit dhe metaleve, mineraleve dhe lëndëve djegëse, ushqimeve si dhe produkteve kimike dhe plastike.
Të rëndësishme në strukturën e eksporteve shfaqen prodhimet vendase të drurit/ mobilierisë si ndenjëset (karrige e kolltukë) apo mobilie të tjera. Gjithashtu, edhe prodhimet bujqësore kanë peshë.
Gjatë kësaj periudhe, referuar të dhënave, Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës rreth 4,377 milionë lekë energji elektrike, minerale dhe lëndë djegëse, nga 886 milionë lekë eksportoi në janar të 2024-ës.
Ndërsa eksportet e materialeve të ndërtimit dhe metaleve ranë me 5,8 herë. Nga 1,048 milionë lekë që u eksportuan në janar të 2024-ës, në janar të këtij viti u eksportuan vetëm 180 milionë lekë.
Tashmë prej datës 1 tetor të vitit 2022 në doganën e Durrësit po kryhet zhdoganimi i të gjitha mallrave me destinacion Kosovën.
Janë mbi 1000 biznese nga Kosova që përfitojnë aktualisht nga hapja e kësaj dege jo vetëm kohë, por edhe kosto të reduktuar zhdoganimi.
Ndërkohë autoritetet kanë bërë të ditur se në Kosovë do të ndërtohet edhe Porti i Thatë i Prishtinës, një terminal i brendshëm i lidhur drejtpërdrejt me rrugë me portin detar Porto Romano, Durrës, që do të funksionojë si një qendër për transportimin e ngarkesave detare në destinacionet e brendshme. Porti i thatë i Prishtinës, i dakordësuar me qeverinë shqiptare është parashikuar të ndërtohet në afërsi të kryeqytetit, në Fushë-Kosovë
Distanca nga Porto Romano është rreth 265 kilometra, ndërsa po punohet edhe për lidhjen me hekurudhë moderne në mes.