Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar sërish nga qelia e burgut të Durrësit, duke vijuar me akuzat ndaj prokurorit të çështjes, Ols Dado.
Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj ka pretenduar se hetimi ndaj tij është i pabazuar dhe i motivuar politikisht.
Sipas tij, prokurori e ka konsideruar atë pronar të një prone familjare pa prova konkrete, ndërsa për sa i përket gjurmëve të telefonit të tij në zonat e Kavajës, Lekajt, Golemit, Harizajt, Malit të Robit, Gosës dhe Synejt gjatë muajve prill-maj 2023, Veliaj ka argumentuar se ato lidhen me angazhimin e tij si Drejtues Politik i Qarkut të Tiranës në fushatat elektorale të Partisë Socialiste.
Ai ka publikuar gjithashtu një foto-album nga fushata, duke e cilësuar procesin ndaj tij si të motivuar nga interesa të caktuara.
Në fund të reagimit, Veliaj ka shprehur mbështetje për stafin e Bashkisë së Tiranës, duke i përshëndetur për punën e tyre.
Reagimi i plotë
“Përshëndetje të dashur miq. Uroj të jeni mirë! Unë për vete po lexoj romanin e gjatë të Ols Violinës se, siç e dini, jam i burgosur, por jo i pandehur, kështu që, skuthi më ka hetuar fiks si dikur hetuesit e Enverit me syrin te vrima e çelësit dhe pastaj më ka ngritur akuzë në thertoren e Erjon Kasapit, për gjëra që po i mësoj në burg.
Që të keni një ide për besueshmërinë e materialeve të llaçit që ka gatuar prokurori ndërtues, në konflikt të hapur interesi, po ju jap një detaj komik nga leximet e mia.
Siç ju thashë, Ols Violina më bëri mua pronar të shtëpisë së prindërve të Ajolës në Golem, meqë gjeti lodrat e djalit tim çilimi në shtëpinë e gjyshes.
Por, hetimi i Violinës qenka edhe më i thellë në shejtanhajvanllëkun e tij, sepse në luftën e paepur kundër korrupsionit, ky dyfytyrësh që ditën heton dhe natën ndërton, më paska kapur me shtëpi në dorë nga qelizat e telefonit tim, i cili rezulton të ketë lëshuar sinjal 87 herë në zonën Kavajë, Lekaj, Golem, Harizaj, Mali i Robit, Gosë, Synej, gjatë muajve prill-maj 2023.
Këtë idiotësi e paska ruajtur si as nën mëngë, se nuk më pyeti kur më kishte përballë e më pyeste për fustanët e gruas, por po të më pyeste do ia kishte kursyer vetes dhe Spakut një turp të tillë.
Gjatë vitit 2023, unë kam drejtuar fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste në Rrogozhinë e Kavajë, (madje, dy herë në Rrogozhinë), në cilësinë e Drejtuesit Politik të Qarkut të Tiranës; dhe në vitin 2024, në po këto bashki, kam drejtuar fushatën e anëtarësimeve të reja në PS.
Mjafton të shihni këtë foto-album nga fushata, për të kuptuar se me çfarë provash të leshit të humbur të kokës së tij më ka mbyllur mua në burg ky muzikant i dështuar, ndërtues i padeklaruar dhe prokuror i korruptuar.
Po telefoni im ka lëshuar sinjal në atë kohë edhe te Kisha Katolike në rrugën e Kavajës, kur kam vajtur për të inspektuar punimet me Patër Zefin, por si duket, meqë Kisha është përballë pallatit të prokurorit tim ndërtues, do jetë trembur nga afrimiteti i krimit tim me ndërtimin e tij.
Kështu është kur të bëjnë prokuror shoqet dhe të marrin në Spak shokët – pa kriter e pa procedurë, e kështu, një miks mes injorancës e arrogancës bëhesh vrasës i gatshëm dinjitetesh njerëzore.
Më falni ta mbyll me një përshëndetje vëllazërore të gjithë stafit të Bashkisë së Tiranës.
Përqafime dhe shumë dashuri të gjithëve ju!