Do të ngrihen seksione të posaçme për hetimin e veprave penale që cënojnë zgjedhjet e lira më 31 maj 2025

by engel

Në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit 2025, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka miratuar një udhëzim të ri mbi masat administrative dhe procedurale para dhe pas procesit zgjedhor.

Në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm do të ngrihen brenda 10 ditëve seksione të posaçme të përkohshme për hetimin e veprave penale që cënojnë zgjedhjet e lira të cilat do të jenë funksionale deri më 31 maj 2025.

banner

Ato do të drejtohen nga drejtuesit e prokurorive në 13 juridiksione dhe do të përfshijnë prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore me përvojë.

Në bazë të një marrëveshjeje mes Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, seksionet speciale do të mbështeten me oficerë të policisë gjyqësore, ekspertizë, pajisje logjistike dhe grupe operacionale për hetimet.

Qëllimi është të sigurohet një hetim i shpejtë dhe i plotë për çdo shkelje të ligjit zgjedhor, duke garantuar reagim të menjëhershëm ndaj denoncimeve.

Për të forcuar bashkëpunimin institucional, Prokuroria do të koordinojë veprimet me Prokurorinë e Posaçme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke siguruar një proces hetimor efikas dhe transparent.

Ndërkohë, qytetarët do të kenë mundësinë të raportojnë shkeljet përmes një formulari standard kallëzimi, i cili do të publikohet në faqen zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.

“Prokurorëve u kërkohet të kryejnë hetime proaktive, duke ndjekur një politikë penale rigoroze lidhur me kërkesat për caktimin e masave të sigurimit dhe masat e dënimit. Në faqen e internetit të Prokurorisë së Përgjithshme do të vihet në dispozicion një format standard kallëzimi për të ndihmuar qytetarët të kallëzojnë shkeljet e ligjit që kanë cënuar interesat e tyre si zgjedhës”.

Me këto masa, autoritetet synojnë të garantojnë një proces zgjedhor të ndershëm dhe të mbrojnë integritetin e votës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy