Gjermania pritet të mbajë zgjedhjet të dielën, ndërsa shqetësimet kryesore të votuesve janë emigracioni dhe kostoja e jetesës.
Kandidati kryesor për të qenë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë ka akuzuar Uashingtonin për ndërhyrje në zgjedhje.
Hartmut Kuether u rrit në ish-Gjermaninë Lindore dhe ndërtoi një biznes të suksesshëm në zdrukthëtari pas ribashkimit të Gjermanisë. Për dekada me radhë, ai votoi për Kristian Demokratët e qendrës së djathtë.
Vota e tij ndryshoi në vitin 2015, kur kancelarja e atëhershme Angela Merkel lejoi hyrjen në vend të mbi 1 milion emigrantëve. Kuether tani është anëtar i partisë që kundërshton emigracionin, Alternativa për Gjermaninë ose ndryshe AfD-së.
“Problemi ishin njerëzit me ngjyrë, të cilët nuk ishin të mirë, të sjellshëm, që nuk ishin ashtu siç doja unë. Duhet treguar pak konsideratë dhe ata nuk e bëjnë fare këtë”, thotë ai.
Partia Alternativa për Gjermaninë po përfiton nga zhgënjimi i votuesve lidhur me emigracionin. Në anketimet përpara zgjedhjeve të së dielës, ajo renditet e dyta, me 21 për qind të mbështetjes.
“Unë mbështes ndalimin e emigracionit të paligjshëm”, u shpreh bashkëkryetarja e partisë Alternativa për Gjermaninë.
Ndërkohë, një seri sulmesh terroriste në Gjermani, i fundit në Mynih të premten, ka intensifikuar më tej debatin mbi emigracionin.
AfD-ja ka fituar mbështetjen e biznesmenit miliarder Elon Musk, aleat i rëndësishëm i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Por retorika e kësaj force politike ka nxitur reagime tek shumë gjermanë. AfD-ja po mbikqyret nga shërbimet e brendshme të zbulimit nën dyshimet se është organizatë ekstremiste. Protesta kundër së djathtës së skajshme janë mbajtur në Berlin dhe në qytete të tjera të Gjermanisë.
“Më duket absolutisht shqetësuese që racizmi dhe komunikimi i krahut të djathtë po shndërrohen në një normë”, tha protestuesja Antje Marta.
Emigracioni po mbizotëron fushatën zgjedhore, thotë analistja Sarah Wagner.
“Kjo është çështja kryesore që po vërejnë votuesit dhe që do të ndikojë votën e tyre. Ka të ngjarë që çështja e dytë më me rëndësi është gjendja e ekonomisë. Njerëzit po përballen me një krizë të kostos së jetesës më tepër se sa në zgjedhjet e fundit në 2021”, thotë analistja Wagner.
Trysnitë ekonomike çuan në rënien e qeverisë së koalicionit tre-partiak në nëntor.
Kancelari aktual Olaf Scholz, i Social Demokratëve, dëshiron të rrisë huamarrjen si mekanizëm ndaj deficitit buxhetor, si dhe për të ndihmuar financimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.
Friedrich Merz, udhëheqësi i Kristian Demokratëve, të cilët kryesojnë anketimet me 29 për qind, thotë se vendi nuk duhet të marrë më shumë hua.
“Ekonomia e Republikës Federale të Gjermanisë tani po renditet pas shteteve të tjera të Bashkimit Europian. Jemi të fundit”, thotë ai.
Merz ka të ngjarë të mos sigurojë shumicën qeverisëse, por ka përjashtuar mundësinë e krijimit të koalicionit me AfD-në e së djathtës së skajshme.
Një gjë e tillë nxiti kritikat e Nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara JD Vance, i cili u tha përfaqësuesve në Konferencën e Sigurisë së Mynihut të premten, se “zëri i njerëzve ka rëndësi”.
Udhëheqësi i Kristian Demokratëve Merz e akuzoi zotin Vance për ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani./VOA