Iniciativa CorrWatch (GLPS, Instituti GAP & INDEP) ka shprehur shpreh shqetësimin e thellë me zhvillimet e fundit rreth procesit të mbledhjes dhe menaxhimit të mbeturinave si dhe faturimit të konsumatorëve në Komunën e Prishtinës.
Kjo iniciativë thotë se menaxhimi i mbeturinave në Prishtinë mbetet një problem serioz dhe i pazgjidhur.
“Kryetari i Komunës së Prishtinës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në lidhje me menaxhimin e mbeturinave, por situata e ambientit dhe shëndetit publik në Komunën e Prishtinës vazhdon të mbetet e cenuar. Për më shumë, ndryshimi i Rregullores Nr. 01-030/01-227581/23 ka krijuar paqartësi të shumta pasi përcaktonte që vetëm një kompani, konkretisht Kompania Regjionale për Mbeturina Pastrimi, do të kishte të drejtën ekskluzive të faturimit dhe inkasimit të pagesave për këtë sektor nga data 1 janar 2025, përgjegjësi kjo që deri në fund të vitit të kaluar kryhej nga vetë Komuna e Prishtinës”.
“Qytetarët kanë shprehur shqetësim mbi mundësinë e faturimit të dyfishtë për të njëjtin shërbim, si dhe mbi mënyrën se si do të procedohet me pagesat për periudhën në vijim. Me 5 shkurt 2025, Komuna e Prishtinës njoftoi pezullimin e rregullores së re, duke theksuar se do të vazhdojë të kryejë faturimin dhe inkasimin e pagesave për menaxhimin e mbeturinave. Por, KRM Pastrimi e ka kundërshtuar këtë vendim të Komunës së Prishtinës, duke e konsideruar atë të pabazuar ligjërisht dhe në kundërshtim me rregulloren e re më lartë. Si pasojë, mbetet ende e paqartë se cili institucion do të jetë përgjegjës për faturimin dhe inkasimin e pagesave. Kjo situatë, qartësisht shkelë të drejtën më themelore pas të drejtës së mbrojtjes së jetës që garantohet me Ligjin Nr. 06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit: atë të informimit dhe mbrojtjes së të drejtave ekonomike”, thuhet në reagimin e iniciativës CorrWatch.
Përmes këtij reagimi, CorrWatch i ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe “KRM Pastrimi” që ta sqarojnë urgjentisht këtë situatë dhe të shmangin çdo konfuzion për qytetarët.
Për më shumë, CorrWatch kërkon që të ofrohet një zgjidhje e qëndrueshme për menaxhim më të mirë të mbledhjes së mbeturinave dhe të ndërmerren masa të menjëhershme për të garantuar transparencë dhe për të informuar qytetarët në mënyrë të qartë mbi obligimet e tyre financiare për shërbimin e mbledhjes së mbeturinave.