Prokuroria në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj A.L. të dyshuar për “Ushtrim të ndikimit”.
Ai dyshohet se ka kërkuar 40 mijë euro nga vëllai i një të dyshuar që ishte arrestuar që të ushtrojë ndikim në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të liruar të dyshuarin nga paraburgimi.
“Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 17.03.2023, në Prishtinë, i pandehuri A.L., në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar para për vete që të ushtroj ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pas arrestimit të të pandehurit E.S., dhe caktimit të paraburgimit nga ana e gjykatës, është takuar me vëllain e të pandehurit, prej të cilit ka kërkuar dyzet mijë (40.000) euro para që të ushtroj ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personave zyrtar, gjyqtarë e prokurorë për ta liruar nga paraburgimi të pandehurin E.S., cili gjendej në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, për shkak të dyshimit të bazuar të veprave penale “Fajdeja “ dhe “Shmangia nga tatimi” të KPRK-së edhe pse ndikimi i supozuar nuk është realizuar andaj, me këtë i pandehuri A.L., do të kryente veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
“I pandehuri A.L., që nga data 19 Shkurt 2025, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartëcekur.”