Numri i vetëvrasjeve në Shqipëri mbetet i lartë

by Nexhat

Sipas njoftimeve zyrtare të paktën gjashtë raste vetëvrasjesh janë shënuar vetëm këtë muaj në Shqipëri, duke rritur shqetësimet e opinionit publik mbi përmasat e kësaj dukurie.

Vetëvrasja e një nxënëseje 16-vjeçare në Gjirokastër, e një nëne 28 vjeçare në Elbasan, e një polici në Tiranë, e një të riu në Shkodër, e një 63 vjeçari në Tiranë dhe e një 28 vjeçari në Vlorë po hetohen nga organet e Prokurorisë.

banner

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Instituti shqiptar i Statistikave referoi të dhënat e vetëvrasjeve në Shqipëri në pesë vitet e fundit ku vihet re një rritje e vetëvrasjeve në vitin 2024 krahasuar me vitin 2023, ndërsa vitet 2020 dhe 2021 dallohen për numrin e lartë të vetëvrasjeve edhe prej situatës së “COVID 19”.

Sipas Instat në vitin 2024 në Shqipëri u shënuan 112 raste vetëvrasjesh dhe 92 raste tentativë për vetëvrasje, ndërkohë që në vitin 2023 ishin shënuar 98 raste vetëvrasjesh dhe 79 raste në tentativë dhe në vitin 2022 ishin shënuar 81 vetëvrasje dhe 81 raste në tentativë.

Gjatë vitit 2021 u shënuan 141 raste vetëvrasjesh dhe 125 raste në tentativë, ndërkohë që në vitin 2020 u shënuan 156 raste dhe 129 të mbetura në tentativë.

Kjo periudhë përkon me pandeminë e Covid-19, e cila rriti në Shqipëri si në gjithë botën, numrin e vdekjeve dhe edhe numrin e vetëvrasjeve.

Të dhënat mbi vetëvrasjet apo përpjekjet për vetëvrasje të Institutit shqiptar të Statistikave i referohen Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Statistikava të Krimeve dhe Drejtësisë Penale.

Ndërkohë , të dhënat e përpunuara nga regjistri i gjendjes civile flasin për një numër më të lartë të vetëvrasjeve në vend, të cilat duket se nuk janë raportuar në organet e rendit apo të drejtësisë

Sipas këtyre të dhënave të mbledhura nga Instat pranë zyrave të gjendjes civile në gjithë Shqipërinë në vitin 2023 shënohen 180 vetëvrasje si shkak i vdekjes , në vitin 2022 shënohen 193 vetëvrasje, në vitin 2021 shënohen 218 dhe në vitin 2020 shënohen 215 vetëvrasje.

Numrin më të lartë të vetëvrasjeve në vitin 2023 e zë grup-mosha 45-64 vjeç me 80 vetëvrasje, e ndjekur nga grupmosha 65-79 vjeç me 47 raste të vetëvrasjes dhe më pas renditet grupmosha 20-44 vjeç, me 36 vetëvrasje .

Ndërkohë vetëvrasjet në një numër të lartë shënohen edhe për grupmoshën 15- 29 vjeç, ku janë regjistruar 15 raste vetëvrasjesh, ndërkohë që në grupmoshën nën 14 vjeç janë shënuar 2 raste vetëvrasjesh.

Psikologët dhe ekspertët e shëndetit mendor identifikojnë disa arsye që lidhen me rritjen e rasteve të vetëvrasjeve në Shqipëri apo rastet mbetur në tentativë.

Këto arsye sipas tyre lidhen me problemet ekonomike , stresin dhe ankthin, tensionet në marrëdhëniet familjare, çrregullime të shëndetit mendor, ndikimin e alkolit dhe drogës apo bullizimit dhe mungesës së mbështetjes sociale

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy