Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari Kadrush Halili ka thënë që kohëve të fundit i ndjeri S.S nuk i ka pasur raportet e mira me të akuzuarit Besnik dhe Ilaz Salihu, shkak i pronës së tij.
“Kohëve të fundit nuk kanë qenë të mira… Sa kom mujt unë me marrë vesh shkaku i atij livadhi qaty”, tha dëshmitari Halili, raporton “Betimi për Drejësi”.
Në këtë rast, Besnik Salihu akuzohet për vrasjen e tani të ndjerit S.S, ndërsa vëllau i tij Ilaz Salihu akuzohet për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vrasje.
Në dëshminë e tij, Halili tha që këtë pronë e kanë punuar të akuzuarit dhe pastaj tani i ndjeri ia ka dhënë dikujt tjetër dhe nga këtu ka filluar problemi.
Tutje, gjatë dëshmisë së dhënë Halili tha se të akuzuarit kohëve të fundit kanë qenë njerëz problematikë dhe që edhe ai ka pasur probleme më ta.
Ai shtoi që vëllezërit Salihu kanë pasur edhe më herët probleme pronësore.
Po ashtu, gjatë kësaj seance janë dëgjuar edhe dëshmitarët Dibran dhe Bekim Murtezi.
Dëshmitari Dibran Murtezi, duke e përshkruar ngjarjen në ditën kritike tha se ë që rrugës duke u kthyer në shtëpi ka dëgjuar krismën e armës.
“Une duke i qu kafshët në shtëpi, e kam dëgjuar një krismë të armës dhe aty kam qenë afër shtëpisë dhe më pastaj kam hy në shtëpi”, tha dëshmitari Dibran Murtezi.
Ai tha që i ndjeri më të akuzuarin kanë pasur raporte të mira.
Lidhur më këtë dëshmitar anëtari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtir nuk pati pyetje lidhur me atë se çfarë i njëjti deklaroi, por tha që dëshmitari i propozuar nuk ka dijeni lidhur me rastin.
“Nuk kam pyetje sepse është propozuar një dëshmitar i cili nuk di gjë për vendin e ngjarjes. Thjesht e ka dëgjuar një krismë e cila nuk është kontestuese dhe që ka vdek një njeri”, tha gjyqtari Bahtiri.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08 minuta, në fshatin Dumincë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua të ndjerit S.S. me qëllim që t’i merrte jetën
Në aktakuzë thuhet se, i akuzuari kishte shtënë me armë zjarri, duke qëlluar dy herë në kokë tani të ndjerin S.S- një herë me pistoletë në anën e majtë të kokës dhe një herë me armë të gjatë nën mjekër, duke i shkaktuar gjakderdhje masive të jashtme trunore, dhe për shkak të plagëve të marra nga predhat e shkrepura në kokë, tani i ndjeri S.S. ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ku më pas i akuzuari Besnik largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri Besnik Salihu ka kryer veprën penale të “Vrasjes e rëndë, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14 e KPRK-së.
Tutje, në aktakuzë thotë se i pandehuri Besnik, në datën, kohën dhe vendin e përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj akuze, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin për armët, ka poseduar një revole dhe një armë të gjatë, me të cilën ka kryer veprën penale të përmendur si më lart.
I njëjti ngarkohet edhe për kryerjen veprën penale “Mbajtjes në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, në aktakuzës thuhet se i pandehuri Ilaz Salihu, në vendin, kohën dhe mënyrën e përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje ndihmoi vëllain e tij, të akuzuarin Besnik, duke i premtuar se do të fshehë provat e kryerjes së veprës penale
Me këtë, i pandehuri Ilaz Salihu ka kryer veprën penale të “Ndihmës në vrasjen e rëndë”, sipas nenit 173, paragrafi 1, pika 14, lidhur me nenin 3 të KPRK-së.