Kritikat e “çelikta” të Limajt për Kurtin u shuan mbrëmë, shtrirja e dorës për koalicion nxit reagime të mëdha

by Nexhat

Ndonëse kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe partnerët e koalicionit të tij kishin qenë të pamëshirshëm përgjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit dhe s’kishin lënë gjë pa thënë për partitë opozitare, kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, mbrëmë ka trazuar opinionin publik duke lënë hapur derën e bashkëpunimit edhe me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit,

Përveç gjuhës polarizuese të viteve të fundit që ishte intensifikuar përgjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, në arkivin e deklarimeve politike, Fatmir Limaj del një prej kritikëve më të ashpër të Kurtit, të cilin s’ka ngurruar ta quaj mashtrues, politikan që ndërron qëndrime, e njeri që punën e parë të tij e ka pozitën e kryeministrit.

banner

Hiç më shumë se para tre javëve, Limaj e kishte quajtur Kurtin si një politikan që “vuan nga kompleksi i së kaluarës”.

Në janar të këtij viti derisa në krah e kishte kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn, Limaj kishte kritikuar ashpër Kurtin, duke thënë se Kosova për katër vite ka qenë e mashtruar dhe se s’duhet të pranojë një mashtrim të ri që do të humbte mundësinë për djemtë e vajzat e Kosovës.

Sipas Limajt, më shumë se kurrë kishte nevojë për t’u kthyer tek puna dhe për të ndërtuar partneritetet me miqtë e vendit.

Në shtatorin e vitit 2024, pikërisht në studion ku ia shtriu Kurtit dorën e bashkëpunimit, Limaj e kishte akuzuar Kurtin se “kishte pranuar ndarjen e sovranitetin me shtetin serb”

“Në momentin kur z. Kurti ka pranuar që të lëshohen letërnjoftimet nga Nishi, për qytetarin nga Prizreni, me adresë të Prizrenit, ai faktikisht e ka ndarë sovranitetin me Serbinë”, kishte deklaruar Limaj më 18 shtator 2024

Para dy vitesh, Limaj në një konferencë për media e kishte akuzuar Kurtin edhe se po shkatërron gjithçka që është ndërtuar në Kosovë për 20 vite.

“Aktualisht shteti i Kosovës po ballafaqohet me sfida të mëdha. Para së gjithash shteti i Kosovës në këto dy vjet na ka dëshmuar që po drejtohet nga njerëz të cilët fatkeqësisht po bëjnë eksperimente me vendin e tyre, me shtetin dhe qytetarët e tyre. Shteti është personalizuar, dalëngadalë në mënyrë të sigurt, nga ajo që po shohim dhe në ditët që po vijnë, shteti po e humbë kuptimin e institucioneve shtetërore. Po rrënohen e po çmontohen ato çka i kemi ndërtuar tash e 20 vjet”, kishte thënë Limaj.

Këto nuk janë të vetmet herë kur Limaj ka kritikuar e folur keq për Kurtin. Në dhjetor të vitit 2022, kreu i NISMA-s kishte qenë shumë i ashpër me Albin Kurtin, pasi ky i fundit në një mbledhje të përbashkët në Kuvendin e Shqipërisë s’kishte përmendur fare krerët e UÇK-së.

Sipas Limajt, një qasje e tillë e Kurtit është përpjekje për përmbysje të historisë.

 “Qysh bre në Parlament të Shqipërisë mos me u fol për Jakup Krasniqin? Zëdhënësin e UÇK-së, zërin e lirisë së Kosovës. Mos me fol për presidentin që ka lexuar deklaratën e pavarësisë. Edhe t’i po më bind mua që po e nderon Ismail Qemalin. Domethënë ju veç të vdekurit ju duhen. Ju veç të vdekurit që s’ju pengojnë i nderoni. Hipokrizi! Turp para shtetit shqiptar, para kombit, kujtdo që e ka këqyr”, kishte thënë Limaj

Limaj në një tubim të NISMA-s në vitin 2020, kishte thënë se Kurti kishte ardhur në pushtet përmes mashtrimit, shpifjeve dhe kauzave të rrejshme dhe e kishte quajtur Kurtin një mashtrues.

“E patë dje çka ndodhi, as takes e as reciprocitet. Dallimi i Albinit me kryeministrin është i madh. Ai është një mashtrues”, kishte thënë Limaj.

Për qëndrimin e 20 shkurtit të Fatmir Limajt ka pasur reagime të shumta. Ardian Gjini nga AAK në një përgjigje për Express kishte thënë se një koalicion me LVV-në e Albin Kurtit s’është fare qëndrim i AAK-së.

Pa reaguar s’ka qëndruar as vetë Ramush Haradinaj, duke thënë se “E keqja ka emër” dhe se ai është Albin Kurti.

Përgjatë fushatës elektorale, Kurti dhe partnerët e koalicionit të tij kanë qenë brutal me fjalime kundër partive opozitare. Bashkëpuntorja më e afërt e Kurtit, Donika Gërvalla e kishte quajtur Haradinajn edhe si “gjeneral të vetëshpallur”. Vetë Kurti ndërkohë në një tubim të mbajtur në sheshin qendror të Prishtinës pas daljes së exit-polleve dhe rezultateve preliminare, iu ishte referuar partive opozitare edhe si “hajvanë’.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy