Një person nga Nju Xhersi u gjend fajtor të premten për tentativë për vrasje pasi goditi disa herë me thikë autorin Salman Rushdie gjatë një leksioni në Nju Jork në vitin 2022. Anëtarët e jurisë, të cilët diskutuan mes tyre për më pak se dy orë, vendosën gjithashtu se Hadi Matari, 27 vjeç, është fajtor edhe për sulmin me rezultat plagosjen e një personi tjetër që gjendej në skenë me zotin Rushdie në ato momente.
Hadi Matari vrapoi drejt skenës në Institutin Chautauqua ku zoti Rushdie do të fliste më 12 gusht 2022 dhe e goditi me thikë mbi dymbëdhjetë herë përpara një salle të mbushur me njerëz. Sulmi e la të verbër nga njëri sy laureatin novelist në moshën 77-vjeçare.
Zoti Rushdie ishte dëshmitari kryesor gjatë shtatë ditëve të dëshmisë, duke përshkruar me detaje grafike lëndimet që i vunë jetën në rrezik dhe shërimin e gjatë dhe të dhimbshëm.
Hadi Matari, i ulur në tryezën e palës mbrojtëse, e mbante vështrimin poshtë dhe nuk pati asnjë reagim të dukshëm kur juria dha vendimin. Teksa e nxorrën jashtë sallës së gjyqit me pranga, ai tha me zë të ulët: “Liri Palestinës”, duke i bërë jehonë komenteve që ai ka bërë shpesh gjatë hyrjes dhe daljes nga gjyqi.
Avokati i tij, Nathaniel Barone, tha se zoti Matar ishte i zhgënjyer, por edhe i parapërgatitur për vendimin.
Prokurori i qarkut Jason Schmidt shfaqi për jurinë të premten gjatë fjalës së tij përmbyllëse një video me lëvizje të ngadaltë të sulmit, duke vënë në dukje sulmuesin teksa shfaqej nga audienca, ngjitej tek shkallët në skenë dhe vraponte drejt zotit Rushdie.
“Dua që ju të shikoni natyrën e paprovokuar të këtij sulmi”, tha prokurori Schmidt. “Dëshiroj që të shikoni natyrën e qëllimshme të sulmit. Kishte shumë njerëz rreth e rrotull atë ditë, por ishte vetëm një person që u vu në shënjestër”.
Ndihmës avokati Andreë Brautigan i tha jurisë se prokurorët nuk kanë vërtetuar se Hadi Matari kishte për qëllim ta vriste autorin Rushdie. Dallimi është i rëndësishëm për një dënim për vrasje në tentativë.
“Do të pranoni se diçka e keqe i ka ndodhur zotit Rushdie, por ju nuk e dini se cili ishte objektivi i ndërgjegjshëm i zotit Matar”, tha avokati Brautigan.
Hadi Matari kishte thika me vete, por jo armë apo eksploziv, kanë thënë më parë avokatët e tij. Dhe në përgjigje të dëshmisë se lëndimet ishin kërcënuese për jetën, ata kanë theksuar se zemra dhe mushkëritë e zotit Rushdie nuk u dëmtuan.
Prokurori Schmidt tha se ndërsa nuk është e mundur të lexohet mendjen e Hadi Matarit, “është e parashikueshme që nëse do të godasësh dikë 10 ose 15 herë me thikë në fytyrë dhe qafë, kjo do të rezultojë në një fatalitet”. Prokurori Schmidt u kujtoi anëtarëve të juristë dëshminë e një kirurgu, i cili tha se lëndimet e zotit Rushdie do të kishin qenë fatale nëse nuk do ishte dhënë trajtim i shpejtë.
Ai gjithashtu ngadalësoi videon që tregonte se si Hadi Matari i afrohej autorit Rushdie nga pas për ta goditur me thikë në trup. Zoti Rushdie ngre krahët dhe ngrihet nga vendi i tij, duke ecur dhe duke u penguar për disa hapa, ndërsa Matari vazhdonte goditjet me thikë derisa të dy rrëzohen dhe rrethohen nga pjesëmarrësit që nxitojnë për t’i ndarë.
Autori Rushdie shihet të bjerë në tokë, duke tundur një dorë të mbuluar me gjak. Prokurori Schmidt u përqëndrua tek një pamje që tregonte zotin Rushdie, me fytyrën e gjakosur, pasi është rrethuar nga pjesëmarrësit.
“Jua kemi treguar qëllimin”, tha prokurori Schmidt.
Regjistrimet jepnin gjithashtu të bërtiturat e pjesëmarrësve që ishin ulur për të dëgjuar autorin Rushdie duke bashkëbiseduar me Henry Reese-in, rreth mbajtjes së sigurt të shkrimtarëve. Zoti Reese pësoi një plagë në ballë, duke çuar në ngritjen e akuzës tjetër për sulm. Gjykatësi vendosi që dënimi të shqiptohet më 23 prill. I dënuari Matar mund të marrë deri në 25 vite burg.