Gatishmëria e kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj, për të bashkëpunuar me kryeministrin Albin Kurti për formimin e Qeverisë së re, i ka hapur rrugë një debati të ri. Nga dje janë përmendur skenar të ndryshme për formimin e institucioneve të reja.
Përveç mundësisë së një koalicioni LVV – Nisma, njohësit e rrethanave politike nuk e kanë përjashtuar as skenarin e kalimit në VV-së të disa deputetëve të partive opozitar. Ata janë shprehur të bindur se kryeministrit Kurti e ka filluar procesin e gjahut.
Madje, gazetari Vehbi Kajtazi ka bërë me dije se tashmë Kurti e ka siguruar një deputet të PDK-së.
Mbrëmë në emisionin “Rubikon”, ai ka thënë se kjo tashmë është punë e kryer.
“Është çështje e kryer, të paktën deri tani. Nuk jam duke dashtë të përmendi emra derisa nuk ka lëvizje konkrete, unë e di tashmë të kryer që pritet t’i bashkohen partisë në pushtet. Prandaj, Z.Kurti thotë unë nuk dua koalicion, unë e bëjë Qeverinë vet. Nëpërmjet kontrabandimit, apo trafikimit të deputetëve. Z.Kurti, ditën që certifikohen rezultatet, mundet me i pasë 51 deputetë shqiptarë pa koalicion”, ka thënë Kajtazi.
Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë është trafikim. I deputetëve.
“Në fusha tjera kriminale quhet trafikim ta zëmë me qenie njerëzore, trafikim me emigrantë, ky është trafikim me deputetë. Jam i bindur se kurrë nuk ndodh në situata si kjo se që dikush nga opozita i bashkohet pushtetit pa pare, harrojeni këtë. Asnjëherë, të gjithë kanë marrë para, të gjithë kanë pasa interesa”, është shprehur Kajtazi.
Edhe analisti Ilir Mirena nuk e ka përjashtuar mundësinë që Albin Kurti të “peshkoi” deputetë nga opozita për të formuar Qeverinë e re.
Ai ka bërë me dije se Kurti do t`i përdor të gjitha kartat për të qëndruar në pushtet.
Në profilin e tij në “Facebook”, Mirena ka shkruar VV-ja është në “gjah” për deputetë të tillë.
“Po qarkullojne llafe qe partia e Albin Kurtit eshte ne gjah te prostituimit te ndonje deputeti nga partite e tjera. Kurti s’ka lane te zeze pa ba per me ardh ne pushtet, dhe sigurisht s’len t’zeze pa ba me mbet edhe me tej. Ama, m’u pak tuj kesh, qysh prej 500 mije k’ëjave, ra n’deregje me lyp me qiri dikend e me ja rras gushen pare per nje vote. Shume pare, premtime per poste e kontrata duhet me dhane se per ideal kush me mend n’kry nuk del kah partia e Kurtit. Kush kalon andej ne kete kohe ka marr diçka te majme prej ketyre qe i permenda. Poshte ka ra luani i militantave”, ka shkruar Mirena.
Kurse, gazetari Arben Ahtmeti ka përmendur dy skenar për formimin e institucioneve të reja.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se njeri prej tyre është “peshkimi” i deputetëve të opozitës.
“Dy skenare te VV-se per qeverine e re: 1. Peshkim, marrje te deputeteve! 2. Koalicion me Nisma!”, ka shkruar Ahmeti.
Nëse do të realizohej ky skenar, kjo nuk do të ishte hera e parë që Kurti e bënë një gjë të tillë.
Në të njëjtën mënyrë Kurti kishte vepruar edhe në fillim të legjislaturës se tetë, kur PDK-së ia kishte marrë deputeten Adelina Grainca.
Ndonëse kjo e fundit ishte zgjedhur deputete si kandidate në listën e PDK-së, në seancën e 4 prillit të viti 2021, ajo kishte kaluar në Grupin Parlament të Lëvizjen Vetëvendosje.
Madje, në këtë seancë, kryeministri Kurti në sallën e Kuvendit kishte hyrë bashkë me deputeten Grainca.
Më pas, ai kishte shkruar edhe status në rrjetet sociale, duke postuar edhe fotografi me deputeten në fjalë.
Kalimi i deputetes Grainca në taborin e partisë në pushtet kishte mundësuar zgjedhjet e Vjosa Osmanit presidente të Kosovës.