Shkruan: Alfred Marleku
Transformimi rrënjësor në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, veçanërisht në raport me luftën në Ukrainë dhe rikthimin në një qasje më transaksionale e të kufizuar në Europë, mund të ketë efekte të rëndësishme edhe në Kosovë. Kjo lëvizje strategjike, e cila sinjalizon një distancim nga mbështetja tradicionale amerikane për stabilitetin dhe sigurinë në kontinentin evropian, mund të përkthehet në një rikonfigurim eventual të pranisë dhe angazhimit amerikan edhe në Ballkanin Perëndimor. Kosova si një vend i vogël që varet shumë nga mbështetja e jashtme për sigurinë dhe stabilitetin e saj, veçanërisht nga ShBA-ja, mund të preket në disa aspekte thelbësore nga kjo politikë e re amerikane.
Një tërheqje relative ose ulje e angazhimit amerikan në Europë, rrjedhimisht në Ballkan, mund të perceptohet nga aktorët rajonal, veçanërisht nga Serbia dhe Rusia, si një mundësi për të rritur ndikimin dhe presionin mbi Kosovën. Me një ShBA më pak të gatshme për të ndërhyrë apo për të marrë përgjegjësi direkte në ruajtjen e ekuilibrave rajonale, Serbia mund të ndihet e inkurajuar të intensifikoj fushatën e saj diplomatike për çnjohjen ndërkombëtare të Kosovës, apo edhe të përsëris sulme të drejtpërdrejta që cenojnë sovranitetin e Kosovës, si në rastin e Banjskës.
Fakti që administrata Presidentit Trump mund të jetë e gatshme të bëjë lëshime të konsiderueshme për Rusinë në Ukrainë, mund të ngjall shqetësime në Prishtinë se një precedent i tillë mund të reflektohet edhe në marrëdhëniet me Kosovën. Qasja e re transaksionale mund të rrisë dyshimet për stabilitetin dhe mbështetjen amerikane ndaj sovranitetit të Kosovës, duke hapur mundësinë e një presioni të shtuar për të pranuar kompromise të pafavorshme në raport me Serbinë. Një administratë që vendos prioritet interesat e saj strategjike mbi aleancat tradicionale mund të kërkoj një zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës, duke e paraqitur atë si një sukses diplomatik të politikës “America First”.
Për më tepër, zhvillimet e fundit sugjerojnë se shumë politikanë dhe liderë serbë, përfshirë presidentin e Republikës Sërbe të Bosnjës, Milorad Dodik, shohin një mundësi të re me kthimin e Trumpit në pushtet. Ata shpresojnë që administrata e re të zvogëloj presionin mbi Serbinë dhe të lehtësoj kufizimet ndaj politikanëve pro-rusë. Një politikë më tolerante ndaj lidhjeve të Serbisë me Rusinë mund të inkurajoj destabilizimin e mëtejshëm të rajonit. Një skenar i tillë do të përkeqësonte ndjeshëm sigurinë e Kosovës, veçanërisht nëse ShBA-ja zvogëlon mbështetjen e saj ushtarake dhe diplomatike.
Gjithashtu, me një NATO të dobësuar dhe një BE më të përçarë Kosova do të përballet me një ambient rajonal më të pasigurt. Një NATO më pak aktive në rajon mund të inkurajoj aktorë si Rusia për të zgjeruar ndikimin përmes Serbisë dhe aktorëve tjerë rajonalë, duke destabilizuar potencialisht mjedisin politik dhe të sigurisë.
Në aspektin e brendshëm politik, Kosova ende nuk ka një strategji të qartë për të naviguar marrëdhëniet komplekse me administratën e Presidentit Trump. Kryeministri Albin Kurti, ose cilado qeveri e ardhshme, mund të gjenden nën presion të madh për të pranuar kushte të pafavorshme në një proces të shpejtë negociator. Mungesa e një përgatitjeje adekuate për këtë skenar dhe mospasja e një strategjie të qartë mund ta vendosin Kosovën në një pozitë të vështirë. Kur i shtojmë kësaj edhe tensionimin progresiv në vitet e fundit të raporteve politike mes Kosovës dhe SHBA-së, si pasojë e politikave të Qeverisë Kurti, situata bëhet më komplekse se asnjëherë më parë.
Një politikë e jashtme amerikane që favorizon marrëveshje të shpejta, pa u brengosur edhe aq për stabilitetin afatgjatë të rajonit, mund të krijoj një terren të rrezikshëm për Kosovën. Nëse mbështetja amerikane zvogëlohet, duke përfshirë ndihmën ushtarake, diplomatike dhe politike, Kosova mund të gjendet e izoluar në një rajon gjithnjë e më të paqëndrueshëm. Këto zhvillime kërkojnë një rishikim të menjëhershëm të strategjisë së jashtme të Kosovës, forcimin e aleancave ekzistuese, sidomos me Shtetet e Bashkuara, dhe kërkimin e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtar për të ruajtur sigurinë dhe sovranitetin e saj në një periudhë turbulencash gjeopolitike.
Autori është profesor i Shkencave Politike