Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar sërish mbrëmjen e së hënës, në profilin e tij në rrjetin social facebook, pas deklaratës së SPAK dhe GJKKO, teksa ka kërkuar publikimin e audios së seancës.
Veliaj thotë se është fyer, sulmuar e kërcënuar në sallën e gjyqit nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun
“Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”, shkruan kryebashkiaku Erion Veliaj.
SPAK dhe GJKKO reaguan gjatë ditës së sotme, pas akuzave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku ai kishte publikuar një pjesë të procesverbalit të një seance gjyqësore, duke pretenduar se prokurori Ols Dado e kishte quajtur atë “ndyrësirë”.
SPAK dhe GJKKO deklaruan se “pas verifikimit të sistemit audio dhe shqyrtimit të procesverbalit të seancës gjyqësore të datës 12.02.2025, nuk ka rezultuar se prokurori ka përdorur këtë fjalë në asnjë moment”.
Më poshtë postimi i plotë
Siç e dini, prej dy javësh unë ndodhem i mbyllur në qeli pa gjyq dhe i dënuar që në faqen e parë të një dosjeje, të cilën po e faktoj çdo ditë se është një montim i shëmtuar dhe farsë e rrezikshme.
Por, gjithashtu, ndodhem në kushte të pabarabarta për të thënë të vërtetën time, atë të vërtetë të cilën do ta mbroj deri në fund dhe do të vazhdoj ta them së paku këtu, në rrjetet e mia sociale, si e vetmja mënyrë për të komunikuar me qytetarët e Tiranës dhe gjithë publikun.
Po! E them dhe e përsëris, në atë sallë gjyqi unë jam fyer, sulmuar e kërcënuar nga prokurori im, Olsi Dado, me fjalë të cilat janë të regjistruara dhe padyshim mund të bëhen transparente për publikun. Ajo seancë ishte një kasaphanë e përgatitur për të më “vrarë” politikisht dhe kam dëgjuar lloj-lloj epitetesh, që nga “gënjeshtar”, “je patologjik” e deri te fjalia “e di se ku shkon, ky merret me mua ky …ndyrësirë”.
Për të qenë të vërtetë deri në fund, ftoj gjykatën të publikojë audion e asaj seance të shëmtuar dhe pastaj qytetarët ta vendosin vetë se kush ka të drejtë.
Ama, unë do të vijoj të çmontoj atë dosje të stisur kundër meje çdo ditë, pak nga pak, siç kam bërë deri më sot