Tri herë rast Sui Generis

by informim peje

Kosova është dhe me siguri do të mbetet rasti Sui Generis në këtë Botën e tridhjetë viteve të fundit. Për më shumë, çfarë po dëshmojmë viteve të mbrama, e veçmas muajve dhe javëve të kaluara, vetëm sa fuqizon përfundimin që rasti apo shembulli i Kosovës do të jetë i pari dhe i fundit në Rendin ndërkombëtar.

Kosova është pra trefish rast Sui Generis, dhe jo vetëm në atë çfarë dihet botërisht, si justifikim i Perëndimit që ta mbështesë dhe ta pranojë shtetin e Kosovës, pas shpalljes së tij, tash e 17 vjet më parë.

banner

Para se të gjithash, e veçanta e papërsëritshme e historisë së Kosovës ka të bëjë me intervenimin ushtarak të Aleancës Veri-Atlantike, në pranverën e vitit 1999-të.

Kjo ndodhi për herë të parë dhe të fundit. Pa dyshim.

Mirë, dihet që ishin rrethana krejtësisht të tjera ndërkombëtare, ishte kulmi i asaj Bote Unipolare të SHBA-së, Rusia dhe Kina nuk ishin kërcënim asokohe për Amerikën dhe Perëndimin.

Por, edhe sikur tani ta zëmë, në këtë vitin 2025, gjithçka sa i përket raportit të forcave në mes të Perëndimit dhe Lindjes (Rusisë dhe Kinës), do të ishte njëlloj siç ka qenë në atë pranverën e largët të vitit 1999, me Perëndimin e sotëm, nuk do të kishte gjasa të mbërrihej tek vendimi kapital që duhet shpëtuar një popull dhe një vend, për shkak të së drejtës humanitare dhe të drejtave politike të atij populli.

Ai Perëndim nuk ekziston më.

Kosova është rast Sui Generis edhe me mënyrën se si është mbërri tek pavarësia, pas një procesi ndërkombëtar të udhëhequr nga Presidenti Martti Ahtisaari, i cili u mandatua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan.

Kategorizimi i bërjes së shtetit të Kosovës si rast Sui Generis, ishte një qëndrim i Perëndimit me të cilin Kosova nuk duhej dhe nuk mund të merrej si një shembull për rastet e ngjashme në Botë. Tek e fundit, krijimi i shtetit të Kosovës ishte kapitulli i fundit (i parafundit ishte ai i pavarësimit të Malit të Zi, në vitin 2006), i zhbërjes së ish-shtetit të përbashkët, RSFJ-së (Federatës së Jugosllavisë), që kishte ndodhur në vitin 1991.

Në anën tjetër, nuk duhet harruar që në ndërmarrjen ndërkombëtare të negociatave për përcaktimin e statusit të Kosovës, në harkun kohor 2005-2007, ka marrë pjesë edhe Rusia, si pjesë e Grupit të Kontaktit, e cila madje, ka qenë bashkë autore e Parimeve Prijëse të këtij Grupi (nëntor, 2005), të cilat në tërësinë e tyre, nuk lenin tjetër shteg për Kosovën pos pavarësimit të saj.

Moska ishte në rregull me këtë qëndrim të Grupit të Kontaktit.

Kosova pra ishte hera e fundit kur ndodhi bashkëpunimi i kësaj natyre në mes të Perëndimit dhe Rusisë.

Historia e Kosovës prej fundit të shekullit të kaluar deri tash, do të duhej ta garantonte që Kosova të mbetet rasti Sui Generis edhe në rrethanat e tanishme, të cilat vetëm sa po vijnë dhe po ndërlikohen. Dihet pse.

Këtu, para se të gjithash e kemi fjalën për Misionin e KFOR-it, që është Mision i Paktit NATO që nga krijimi i tij qysh në muajin shkurt të vitit 1999 (gjatë Konferencës Paqësore të Rambouilletit, shkurt, mars 1999). Dihet madje që deri në vitin 2003, edhe forcat ruse kanë qenë pjesë e KFOR-it.

Përbërja shumë-etnike e tij, dhe roli që forcat amerikane kanë në këtë Mision, janë të pazëvendësueshme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë, por edhe në rajon.

Mund lehtë të merret me mend çka do të ndodhte në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat janë larg atij synimi perëndimor për arritjen e normalizimit të plotë të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, po mos të ishte KFOR-i në Kosovë.

Krejt çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe me Kosovën pra, në një çerek shekulli e më shumë, është një histori të veçantash të shumta, të cilat janë lidhur, apo kanë qenë pasojë apo rezultat i një Perëndimi dhe i një Bote që nuk është më.

Nga ky pikë shikim, del që Kosova është produkti i fundit dhe më i miri (më i suksesshmi), i Perëndimit çfarë ka qenë më parë./Autori: Blerim Shala

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy