Arda Guler ka luajtur shumë pak në ndeshjet e fundit për Real Madridin dhe ky fakt i ka shqetësuar jo pak tifozët madrilenë.
Ylli i ri turk i ka luajtur vetëm 137 minuta në 10 ndeshjet e fundit, ndërsa nuk është paraqitur në pesë ndeshjet e fundit, shkruan “Gazeta Express”.
E për ta sqaruar mosparaqitjen e ish-futbollistit të Fenerbahçes është përkujdesur sot trajneri Carlo Ancelotti, i cili foli në konferencë për shtyp.
“Kam lexuar në media rreth rastit që lidhet me Arda. Por, kjo çështje nuk ka arritur këtu, as në zyrat e mia.”
“Unë flas me Ardan çdo ditë. Ai dëshiron të luajë, njëjtë si krejt futbollistët, por ky është procesi me lojtarët e rinj në Madrid.”
“Unë e shoh një lojtar që punon, mëson dhe që dëshiron të luajë. Çdo ditë e shoh pak a shumë të lumtur dhe kjo është normale. Nuk dua ta shoh një lojtar të lumtur kur ai nuk luan.”
“Kjo i ka ndodhur atij dhe iu ka ndodhur krejt të rinjve. Iu ka ndodhur edhe Rodrygos, Viniciusit, Valverdes… Ai ka nevojë për kohë për t’u përshtatur dhe ambientuar në ekipin më të mirë në botë.”