Kryeministri britanik Keir Starmer tha të martën se Britania do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen deri në vitin 2027, për të rritur sigurinë përballë agresionit të shpalosur nga Moska gjatë luftës tre-vjeçare në Ukrainë.
Zoti Starmer i tha parlamentit se shpenzimet për mbrojtjen do të rriten me 17 miliardë dollarë në vit, duke rritur kontributin nga 2.3% të prodhimit të brendshëm bruto, në 2.5% dhe duke ulur për këtë qëllim fondet për ndihmën që u jepet vendeve të tjera.
Zoti Starmer u tha ligjvënësve se rritja e shpenzimeve për mbrojtjen ishte “përgjigja e një gjenerate” dhe “rritja më e madhe e qëndrueshme në shpenzimet për mbrojtjen, që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.
Ai tha se masa ishte e nevojshme pasi “tiranët si [Presidenti rus Vladimir] Putin i përgjigjen vetëm forcës”, siç tha ai.
“Duhet t’i qëndrojmë përkrah Ukrainës, sepse nëse nuk arrijmë një paqe të qëndrueshme, atëherë paqëndrueshmëria ekonomike dhe kërcënimet për sigurinë tonë, vetëm do të rriten”, tha zoti Starmer, i cili do të takohet me Presidentin amerikan Donald Trump të enjten në Uashington.
“Ndërsa natyra e këtij konflikti ndryshon siç ka ndodhur në javët e fundit, ajo sjell përgjigjen tonë në një fokus më të mprehtë, një epokë të re në nivelin e të cilës duhet të ngrihemi, siç kemi bërë kaq shpesh në të kaluarën, së bashku dhe me forcë”, tha zoti Starmer në parlamentin britanik
Britania kishte njoftuar edhe më parë se do të rriste shpenzimet për mbrojtjen në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por pa caktuar një afat për këtë. Britania tashmë është një ndër 23 nga 32 vendet e NATO-s që kanë përmbushur objektivin kryesor të aleancës ushtarake të Perëndimit, për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Përpjekjet e zotit Starmer për të rritur shpenzimet në këtë fushë vijnë pasi vendet evropiane kanë shprehur shqetësime të reja në lidhje me vazhdimësinë e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, ndërsa Presidenti Trump po bën përpara me politikën e tij “Amerika e Para” si dhe po bën përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit nëpërmjet bisedimeve me Presidentin rus Putin.
Kryeministri Starmer ka ofruar dërgimin e trupave britanike në Ukrainë si pjesë e një force për të mbështetur armëpushimin, në rast se arrihet një marrëveshje mbi këtë çështje, por thotë se për të siguruar një paqe të qëndrueshme, do të nevojiteshin garanci nga Shtetet e Bashkuara
Presidenti Trump nuk është zotuar të ofrojë garanci sigurie për Ukrainën, duke thënë të hënën pas takimit me Presidentin francez Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë se “Evropa do të sigurohet që asgjë të mos ndodhë”.
Javën e kaluar Presidenti Trump e quajti Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy një “diktator” pa zgjedhje referuar faktit që Kievi nuk ka mbajtur zgjedhje e planifikuara të mbaheshin në vitin 2024, për shkak të luftës. /VOA