Sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth pritet të vizitojë të martën bazën ushtarake të Guantanamos , të cilën Presidenti Donald Trump dëshiron ta shndërrojë në një qendër të madhe paraburgimi për 30,000 emigrantë.
Hegseth përmendi në një postim në X se ai po udhëtonte për në Guantanamo për të vizituar bazën dhe për të mësuar “për operacionet e dëbimit të emigrantëve të parregullt”.
Pentagoni në njoftimin e tij, theksoi se ky udhëtim tregon “angazhimin e departamentit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin efektiv” të bazës dhe është një mundësi për dialog me personelin e përkushtuar që luan një rol kyç në misionin e bazës.
Baza në skajin juglindor të Kubës është e njohur për burgun ushtarak që ka funksionuar aty pas 11 shtatorit 2001. Sot mbeten të paraburgosur 15 persona të akuzuar për terrorizëm.
Wheels up @Andrews_JBA, En route to Naval Station Guantanamo Bay, Cuba. Will tour JTF-GTMO facilities and receive briefings on operations supporting illegal immigrant deportations. pic.twitter.com/KJYRsv9K7k
— Secretary of Defense Pete Hegseth (@SecDef) February 25, 2025
Ai u përdor gjithashtu nga SHBA për të ndaluar emigrantët, dhjetëra prej të cilëve kanë mbërritur atje javët e fundit.
Komanda Jugore e ushtrisë amerikane, e cila koordinon forcat amerikane në një zonë që përfshin Kubën, njoftoi javën e kaluar se emigrantët e mbajtur në bazë ishin dërguar në Venezuelë , pa specifikuar nëse ata ishin zëvendësuar.
Në mes të shkurtit, organizatat e të drejtave të njeriut ngritën një padi kundër administratës Trump, duke kërkuar akses për emigrantët e ndaluar dhe duke shpjeguar se nuk ka asnjë informacion për kohëzgjatjen e ndalimit të tyre dhe kushtet që mbizotërojnë atje.
Kombet e Bashkuara deklaruan në janar se emigrantët duhet të ndalohen vetëm si mjeti i fundit.