Një person me inicialet D.R është arrestuar sot në pikëkalimin kufitar në Jarinje, nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile.
Prokuroria Speciale ka bërë me dije se i njëjti është i nacionalitetit serb dhe se është ndaluar për 48 orë.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se hetimet preliminare tregojnë se i dyshuari gjatë kohës së luftës në Kosovë, në vitin 1999 ka kryer krime të luftës ndaj popullsisë civile në regjionin e Gjakovës.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale, i pandehuri gjendet nën masën e arrestit të përkohshëm dhe ndalimit për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të dërgohet para Gjyqtarit të procedurës paraprake, për procedurë të mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë me dije se i njëjti është ndaluar në pikëkalimin kufitar në Jarinje.
“Sipas hetimeve të kryera nga Hetuesit e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës, i dyshuari me iniciale (D.R.) është i dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” të kryer gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), në komunën e Gjakovës në periudhën kohore 07-10 maj 1999, duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga MUP-i serb”, është thënë në njoftimin e Policisë.