Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara, ka bërë të ditur se do të kundërshtojë të gjitha akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, duke i quajtur ato si të fabrikuara nga qarqe serbe dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se këto akuza janë rezultat i një skenari të hartuar nga “kriminelët ushtarakë serbë dhe Akademia Serbe e Vaso Čubrilović dhe Dobrica Ćosić”, të cilët, sipas tij, kanë bashkëpunuar me “spiunë shqiptarë të UDB-së serbe” për t’i dhënë më shumë peshë çështjes në Prokurorinë e Specializuar në Hagë.
Tara njoftoi gjithashtu se nesër do të paraqitet në gjykatë për të dëshmuar dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të avokatëve mbrojtës të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Unë, Komandant Hoxha, do të kundërshtoj të gjitha akuzat e ngritura ndaj krerëve të UÇK-së, të cilat janë produkt i një skenari të përgatitur nga kriminelët ushtarakë serbë dhe Akademia Serbe, në bashkëpunim me spiunë shqiptarë të UDB-së serbe, me synimin për të ndikuar te prokurorët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.
Shihemi nesër në gjykatë, ku do të përgjigjem ndaj të gjitha pyetjeve të avokatëve mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së,” ka shkruar ai.