Partitë s’negociojnë – përveç gatishmërisë së Limajt, asnjë lëvizje publike për koalicion qeverisës

by Nexhat

Perspektiva e një qeverie të re koalicioni në Kosovë nuk po sjell ende negociata ndërmjet partive. Të paktën publikisht, nuk vërehet asnjë lëvizje, nga asnjëra anë. Këtë heshtje e ka thyer vetëm një paraqitje e Fatmir Limajt, kryetarit të Nismës i cili shprehu gatishmërinë për t’u futur në koalicion qeveritar me LVV-në e Albin Kurtit.

Një koalicion është i nevojshëm për Qeverinë e re në Kosovë. Megjithëse kanë kaluar mbi dy javë nga dita e votimit dhe rezultatet pothuajse dihen, partitë nuk kanë lëvizur për të diskutuar me njëra-tjetrën për përbërjen e re qeveritare.

banner

Albin Kurtit do t’i duhet të gjejë një partner nga ana e opozitarëve, të cilët i quajti “hajvanë” kur partia e tij doli e para në zgjedhje, por pa marrë mjaftueshëm vota që të qeverisë e vetme sërish.

LVV-ja ka marrë 40.90% të votave, PDK-ja 22.03%, LDK-ja 17.64% dhe koalicioni AAK, Nisma dhe të tjerët 7.46%. Këtë javë pritet të fillojë numërimi edhe i votave nga diaspora, votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

“Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin, dhe puna e qeverisë së re vazhdon sapo të çertifikohen rezultatet”, deklaronte në natën e 9 shkurtit lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, duke shfaqur deklarativisht gatishmërinë për ta formuar Qeverinë “Kurti 3”.

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se po i pret procedurat për t’i bërë “hapat e nevojshëm në kohën e duhur” për formimin e Qeverisë së re, por vetëm pasi të përfundojë përpjekja e LVV-së për ta bërë këtë paraprakisht.

“Ne nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje”, ka thënë kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, në një konferencë për media një ditë pas zgjedhjeve.

Kryesia e PDK-së kishte mbajtur një mbledhje më 12 shkurt, pas së cilës është thënë se “kryetari Krasniqi dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, kanë konfirmuar se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi nga organet drejtuese të partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia më e vjetër në vend ka marrë “rezultat të mirë pas rënies historike”, por se ai “nuk është rezultat ndryshimi”. Ai ka përsëritur qëndrimet e tij parazgjedhore, ndërsa ka thënë se s’do pushtet me çdo kusht.

“Pavarësisht të gjithave, siç e thash në Konferencën e natës së zgjedhjeve, ky rezultati nuk është rezultat ndryshimi për Kosovën; sepse populli i Kosovës ka tjera preferenca. I respektojmë. Do t’i respektoj këto preferenca sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë ku mbajtja e fjalëve është standard bazik e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!”, ka shkruar ai më 12 shkurt në një postim në Facebook.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, e cila garoi në koalicion me Nismën, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30, ka thënë mbrëmjen e 9 shkurtit se e gëzon “fakti që opozita i ka fitu këto zgjedhje”. Thoshte se po priste bashkëpunim me partitë opozitare “për krijimin e qeverisë së opozitës”.

Lëvizja e Fatmir Limajt

Pas një heshtjeje disaditore të partive politike të cilat po kuptonin se sa ulëse në Kuvend kishin marrë dhe se kush nga zyrtarët e tyre kishin arritur të bëheshin deputetë, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, shprehu gatishmërinë për t’u futur në koalicion qeveritar me LVV-në e Albin Kurtit.

Limaj dhe dy anëtarë tjerë të Nismës do të jenë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit dhe ai tha të enjten në RTV Dukagjini se me AAK-në, me të cilën garoi së bashku në koalicion, janë “parti të ndara”, ndërsa shtoi se është i interesuar t’i realizojë “objektivat” që i ka pasur ky koalicion “edhe me të tjerët”.

“Zotëria i ka fitu 40%. Duhet me punu edhe me të, në çfarëdo pozite që jemi”, ka deklaruar ai, duke thënë se do të bëjë përpjekje që vendi të mos shkojë në zgjedhje sërish.

Polemika të shumta në distancë ndërmjet eksponentëve të AAK-së dhe Nismës shkaktoi kjo deklaratë e Limajt.

Haradinaj iu përgjigj kësaj gatishmërie të Limajt duke shkruar të nesërmen në Facebook: “E keqja ka emër – Albin Kurti”.

Vesel Krasniqi, një prej bashlëpunëtorëve të Limajt, i doli në mbrojtje shefit të tij në parti, për të cilin tha se është “politikan i kalibrit ndërkombëtar” dhe për këtë arsye, sipas tij, “mendimi i tij shpesh mund të duket i vështirë për t’u kuptuar nga disa”.

“Lideri Limaj ka qenë gjithmonë mbështetës i fortë i secilit që ka kontribuuar për interesa të qytetarëve dhe do të vazhdojë të punojë për interesa kombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu i LVV-së u përfshi në këto polemika, duke shkruar në Facebook se “Fatmir Limaj dhe Nisma kanë të drejtë demokratike, kushtetuese dhe ligjore që pas zgjedhjeve të bëjnë koalicion paszgjedhor me partitë aktuale në skenën politike”.

Sami Lushtaku, nënkryetar i Skënderajt dhe një figurë e rëndësishme e PDK-së, tha të hënën për T7 se një koalicion i Limajt me Kurtin do të ishte fundi politik i ish-bashkëluftëtarit të tij në UÇK.

“E vërteta është që unë edhe e kam bashkëluftëtar dhe edhe kemi hëngër dreka dhe darka e kemi komuniku bashkë. Dëshira jem ka qenë gjithmonë që ai të kthehet në shtëpinë e vet, në familjen e vet, në Partinë Demokratike, dhe Fatmir Limaj nëse do që përfundimisht me përfundu politikisht, mundet me shku, por nuk e besoj edhe këtë pjesë”, tha ai.

Arbëreshë Krasniqi, anëtarja e Nismës e cila do të jetë deputete, i reagoi Lushtakut përmes një postimi në Facbook sot.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës dhe veçanërisht ju votuesit e Nismës dhe të vizionit politik të Fatmir Limajt, Ju që, edhe kur të tjerët e dëshironin dhe punuan për fundin politik të Limajt, ne nuk lejuam, dhe për këtë pjesë prapë vendosim ne. Rikthimi i Limajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës disa eksponentëve politik iu ka dhimbur, por mos harroni,… Shihemi për të mirë të Kosovës gjithsesi”, shkroi ajo.

Sipas rezultateve aktuale, Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim thotë se ndarja e mandateve për partitë shqiptare do të jetë kështu: LVV – 47 deputetë, PDK – 25 deputetë, LDK – 20 deputetë, AAK – 8 deputetë.

KQZ-ja thotë se është “brenda planifikimeve që ka bërë më herët”, pavarësisht ankesave të qytetarëve për vonesa të stërzgjatura me numërimin e votave. Zëdhënësi Valmir Elezi tha të hënën në një konferencë për media se sipas planit, shpallja e rezultateve përfundimtare do të duhej të bëhej më së largu më 5 mars, ndërsa “certifikimi i tyre, që ndodh pasi të përfundojnë ankesat eventuale dhe vendosja për to në PZAP dhe Gjykatën Supreme, është planifikuar të bëhet deri më datën 18 mars”.

“Natyrisht se ne po punojmë që shpallja e rezultateve përfundimtare të bëhet edhe më shpejt”, tha ai.

Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh pasi të jenë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

Pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, presidentja parashihet t’i ftojë partitë politike parlamentare për konsultime e më pas t’ia propozojë Kuvendit kandidatin për kryeministër.

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nga i mandatuari nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja brenda 10 ditësh duhet ta emërojë kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

Nëse dështon ta marrë shumicën e votave në Kuvend edhe përbërja e dytë e qeverisë, presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë pas shpalljes

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy