Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin, ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin slloven “Delo”, ku ka diskutuar tema të ndryshme, nga zhvillimet politike në futboll deri te bashkëpunimet ndërkombëtare.
Një nga temat kryesore ishte organizimi i përbashkët i Kampionatit Evropian U21 të vitit 2027 nga Shqipëria dhe Serbia.
Ceferin, i cili ka prejardhje sllovene, ka shprehur admirim për vendet e ish-Jugosllavisë dhe ka theksuar se sporti ka fuqinë të tejkalojë ndarjet politike.
“Kam një dashuri të veçantë për të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Dekadat e fundit kanë qenë shumë të trishtueshme. Por i gjithë Ballkani Perëndimor është bombë e kurdisur. Problemi kryesor është se liderët e këtyre vendeve bisedojnë me burokratët evropianë që nuk e kuptojnë mendësinë e Ballkanit, ish-Jugosllavisë, Shqipërisë dhe vendeve tjera”, deklaroi fillimisht ai.

Ceferin vlerësoi bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Serbisë për të organizuar këtë turne, duke e quajtur atë një dëshmi të fuqisë së sportit për të bashkuar njerëzit.
“Interesant është fakti se federatat e futbollit në Shqipëri dhe Serbi, të përkrahura nga qeveritë e dy vendeve, kanë shprehur dëshirën për të organizuar këtë garë së bashku. Kjo është një dëshmi tjetër se sporti është mbi politikën. Sportet janë diçka e mirë. Është një mundësi e shkëlqyer për të treguar se futbolli është mbi politikën e përditshme”, deklaroi i pari i UEFA-s
Gazetari i “Delo” vlerësoi këtë bashkëpunim si një thyerje të tabuve, duke theksuar se një marrëveshje e tillë do të ishte e pamenduar në sferën politike.
Ceferin, nga ana tjetër, mbetet i bindur se futbolli ka fuqinë të ndërtojë ura aty ku politika ndonjëherë dështon