Protesta e sotme në Athinë, në 2-vjetorin e tragjedisë në Tempi, ka shkaktuar incidente gjatë përplasjes së protestuesve dhe forcave të policisë, ku 29 protestues mësohet se janë plagosur.
Nga këta, 19 janë transportuar me ambulanca dhe 10 të tjerë kanë shkuar vetë në spital.
Përleshjet shpërthyen sot në qendër të Athinës, ndërsa një grup individësh të paidentifikuar filluan të hidhnin molotovë drejt një njësie të madhe policie të vendosur në oborrin e Parlamentit grek, ku po zhvillohet një protestë masive paqësore për të shënuar dyvjetorin e aksidentit hekurudhor vdekjeprurës.
Tragjedia ndodhi më 28 shkurt 2023 në Tempi, ku një tren pasagjerësh u përplas ballë për ballë me një tren mallrash që po afrohej. Kjo konsiderohet aksidenti më i rëndë hekurudhor në Greqi.
Përplasja e trenave shkaktoi 57 viktima dhe dhjetëra të plagosur dhe ekspozoi mangësi në infrastrukturën e transportit të vendit.