Komuna e Prishtinës thotë se masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, janë shkaktar i mos realizimit për të paktën 4 projekte kapitale, të cilat do të zhvillonin ekonominë e vendit dhe do të lehtësonin jetën e qytetarëve.
Objekti i cili ndryshe njihet si ish-shtëpia e mallrave Gërmia, Komuna e Prishtinës kishte paraparë që ta shndërronte në sallë koncertale. Për këtë çështje kishte pasur edhe një kompani fituese për projektin ideor. Megjithatë, një gjë e tillë nuk u realizua si shkas u tha të jenë masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
Por, përveç sallës koncertale, shkak i masave ndëshkuese të BE-së, komuna e Prishtinës mbeti edhe pa projekte të tjera kapitale.
“Projekte të tjera që nuk u realizuan si shkak i masave ndëshkuese të BE-së janë edhe unaza e jashtme e Prishtinës, Teatri i operës dhe baletit si dhe fshati Olimpik. Këto projekte priteshin të përfundonin me fonde të programeve të BE-së IPA2, me vlerë prej mbi 90 milionë euro”, tha Donat Lushaku nga Komuna e Prishtinës për rtv21.
Me bllokim të projekteve nga fondet e BE-së, u ballafaquan edhe komuna të tjera. Ndërsa kryetari i dhomës së tregtisë Skënder Krasniqi, thotë se me masat e BE-së, pashmangshëm u ndëshkuan edhe bizneset në Kosovë.
“Po bizneset tona do t’i përfundonin këto projekte kaptiale pra është zingjirë: Dhe ne po flasin për qindra miliona euro humbje sepse tash jemi në vitin 2025 dhe mjetet janë ndalur vitin 2023, 2024 dhe tash 2025″, tha Krasniqi
Qeveria e Kosovës në vazhdimësi këto masa i ka cilësuar si të padrejta, ndërsa 2 vjet pas nuk ka më asnjë arsye që këto masa të jenë në fuqi.
BE nuk ka dhënë ndonjë afat të caktuar se kur do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Ndërsa për heqjen e masave nevojitet konsensus i plotë i 27 shteteve anëtare të BE-së, mëgjithatë vlerësohet se një numër shtetesh të BE-së përfshirë Francën dhe Italinë janë kundër heqjes së plotë të masave dhe se ato duan që heqja e tyre të bëhet me kushte dhe në mënyrë graduale.