Presidentja Vjosa Osmani ka ngushëlluar për vdekjen e fotoreporterit Alban Bujari, të cilin e quajti ikonë e fotografisë.
“Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Alban Bujarit, ikonës së fotografisë dhe dëshmitarit të pashoq të historisë sonë më të re. Nëpërmjet objektivit, ai dokumentoi të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke na lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie. Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë”, tha Osmani.
Ajo shtoi se përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës.
“Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, Grupit “Koha”, si dhe komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve!I përhershëm qoftë kujtimi për Alban Bujarin!”