Debati mes Trump – Zelensky mund të ndikojë që të ndalet furznizimi me armë i SHBAve për Ukrainën

by engel

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, hyri në Shtëpinë e Bardhë për një takim me Presidentin Donald Trump të premten, duke e ditur se fluksi i armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara në vendin e tij në thelb ishte ndalur.

Në momentin që ai u largua, pas një debati televiziv mes dy liderëve, situata u shfaq edhe më e rëndë.

banner

Ndërsa të dy burrat u takuan, kishin kaluar 50 ditë që kur Pentagoni kishte njoftuar një paketë të re armësh për Ukrainën dhe administrata e re kishte thënë pak për sigurimin e më shumë armëve, raporton “New York Times”.

Një zyrtar i administratës Trump tha më vonë të premten se e gjithë ndihma e ShBA-së për Ukrainën – duke përfshirë dërgesat përfundimtare të municioneve dhe pajisjeve të autorizuara dhe të paguara gjatë administratës së Bidenit – mund të anulohet menjëherë.

Pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në atë vend në shkurt të vitit 2022, dërgesa të tilla të pajisjeve ushtarake nga Shtetet e Bashkuara u njoftuan afërsisht çdo dy javë gjatë administratës së Bidenit, dhe ndonjëherë vetëm pesë ose gjashtë ditë larg njëra-tjetrës.

Sipas Pentagonit, rreth 3.85 miliardë dollarë mbeten nga ato që Kongresi autorizoi për tërheqje shtesë nga stoku i Departamentit të Mbrojtjes. Një ish-zyrtar i lartë i mbrojtjes nga administrata Biden tha se armët e fundit që Ukraina kishte blerë nga kompanitë amerikane të mbrojtjes do të dërgoheshin brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Pas kësaj, do të jetë në dorën e vendeve evropiane dhe të tjerëve që ta furnizojnë Ukrainë me armë.

Trumpi ka këmbëngulur për “shpagim” për ndihmën ushtarake. Të premten, të dy udhëheqësit pritej të nënshkruanin një marrëveshje që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara akses në pasurinë minerale të Ukrainës.

Një draft i marrëveshjes përmendi në mënyrë të paqartë garancitë e sigurisë për Ukrainën. Por Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa një marrëveshje, ndërkohë që vendi i tij përballet me sulme të pamëshirshme nga trupat ruse dhe koreano-veriore përgjatë vijës së frontit prej mbi 965 kilometrash.

Ukraina është varur nga armët e Shteteve të Bashkuara gjatë gjithë luftës, që nga dita e parë pasi trupat ruse kaluan kufirin, kur administrata Biden njoftoi se do t’i dërgonte Kievit armë me vlerë 350 milionë dollarë nga rezervat e Departamentit të Mbrojtjes.

Pentagoni dërgoi 71 dërgesa të tjera ndihme ushtarake nga rezervat ekzistuese me vlerë 33.8 miliardë dollarë.

Pa ndonjë njoftim që nga inaugurimi, dërgesat përfundimtare të mallrave të epokës Biden janë ngadalësuar.

Shtetet e Bashkuara kanë siguruar gjithashtu 33.2 miliardë dollarë sipas një programi të quajtur Iniciativa e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës, e cila siguron fonde që Kievi mund t’i përdorë vetëm për të blerë pajisje të reja ushtarake direkt nga kompanitë e mbrojtjes amerikane.

Këto mjete shpalleshin afërsisht çdo 44 ditë nën administrimin Biden. E fundit prej tyre u shpall më 30 dhjetor.

Është e qartë se zyrtarët ukrainas e kuptuan se çfarë ishte në rrezik pas zgjedhjeve presidenciale të ShBA-së vitin e kaluar dhe Zelensky shpejt filloi një fushatë të bashkërenduar për të “fituar zemrën” presidentit të ardhshëm amerikan me shpresën se ndihma për vendin e tij do të vazhdonte.

Pas spektaklit të së premtes në Zyrën Ovale, zyrtari i administratës Trump tha se presidenti mund të vendosë t’i japë fund edhe mbështetjes indirekte të ofruar nga ShBA-ja, e cila përfshin lloje të tjera të financimit ushtarak, ndarjen të informatave të inteligjencës, trajnimin për trupat dhe pilotët ukrainas dhe një qendër telefonike që menaxhon ndihmën ndërkombëtare në një bazë ushtarake amerikane në Gjermani.

Veprime të tilla do të ishin një braktisje tronditëse e një kombi partner të konfliktuar, duke shënuar kështu “vdekjen” e mbështetjes që i kishte mbijetuar një sfide politike nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve më shumë se një vit më parë.

Në fund të tetorit 2023, kryeparlamentari Mike Johnson filloi të sinjalizojë se do të mbështeste fonde shtesë për Ukrainën në Dhomën e Përfaqësuesve, pasi Trump – atëherë jashtë zyrës – kritikoi ndihmën e mëtejshme.

Në kohën kur Johnson lejoi të kalonte një paketë ndihme më 20 prill 2024, trupat ruse kishin avancuar ndërsa furnizimet e municioneve të Ukrainës ishin pakësuar.

Që nga zgjedhja e tij, Trumpi e ka mbivlerësuar shumë sasinë e ndihmës që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Ukrainës, sipas Institutit Kiel, një organizatë gjermane kërkimore. Ai gjithashtu ka pohuar në mënyrë të rreme se kontributet evropiane në Ukrainë ishin hua që Kievi do të shlyente.

Sipas të dhënave të Institutit Kiel, vendet evropiane kanë kontribuar me 138 miliardë dollarë në përpjekjet luftarake të Ukrainës krahasuar me 119 miliardë dollarë ndihmë ushtarake dhe humanitare nga ShBA.

Pasi të përfundojë blerja e fundit e armëve të financuara nga ShBA, burimi kryesor i ndihmës ushtarake për Kievin do të jetë Grupi i Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, një koleksion prej rreth 50 kombesh i themeluar në prill 2022 nga ish-sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III. Ky Grup u mblodh 25 herë gjatë administratës së Bidenit për të koordinuar sigurimin e armëve dhe zhvillimin e aftësive të reja ushtarake për kombin në luftë.

Në takimin e grupit të kontaktit në bazën ajrore Ramstein në Gjermani në janar, Zelensky tha se do të ishte “çmenduri të hiqnim tani dorë” nga ndihma, pasi Ukraina i kishte frenuar forcat ruse për kaq gjatë.

Austin, i pyetur nëse mendonte se administrata e re e Trumpit do t’i përmbahej koalicionit, nuk pranoi të spekulonte, duke thënë se ky ishte një vendim “që do ta merrte administrata e ardhshme”.

Më 6 shkurt, Pentagoni tha se po ia kalonte udhëheqjen e grupit Britanisë.

Pentagoni ia referoi ministrisë britanike të mbrojtjes pyetjet në lidhje me mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën.

“Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme është e mundur vetëm nëse ne vazhdojmë të tregojmë forcë dhe t’i ofrojmë Ukrainës mbështetjen që i nevojitet për t’u mbrojtur kundër agresionit të vazhdueshëm rus”, tha një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes në përgjigje të pyetjeve se si Britania do të udhëheqë grupin e kontaktit. “Nuk do të ketë asnjë ndërprerje në mbështetjen tonë, të cilën do ta vazhdojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

Takimi i Zelenskyt me Trump dhe Zëvendës Presidentin JD Vance shpërtheu në një grindje mes tyre në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa kamerat e të gjithë botës ishte të fokusuar drejt tyre. Grindja mes tyre bëri që Trump dhe Zelensky të ndahen pa marrëveshje për t’i dhënë fund luftës midis Ukrainës dhe Rusisë./Klan Kosova

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy