Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka reaguar pas një bisede mes liderit serb Aleksander Vuçiç dhe liderit rus Vladimir Putin, ku ky i fundit i ka dhënë mbështetjen ruse autoriteteve të Serbisë ndërsa përballen me protesta antiqeveritare,
Terras në reagimin e tij, ka theksuar se, ndërhyrjet ruse s’janë diçka e re.
Po ashtu, ai ka kritikuar presidentin serb Vuçiç, duke shkruar se ai e sheh të ardhmen e Serbisë nën diktatin e Putinit.
‘‘Modelet e ndërhyrjeve të Rusisë nuk janë asgjë e re dhe Presidenti Vucic nuk lë asnjë dyshim – ai e sheh të ardhmen e #Serbisë nën diktatin e #Putinit’’, ka shkruar ai.
Në lajmin Reuters, atë që eurodeputeti Terras e ka shpërndarë në postimin e tij, ndër tjerash theksohet edhe se, protestat kundër korrupsionit të udhëhequra nga studentët janë përhapur në të gjithë vendin gjatë katër muajve të fundit që kur 15 persona u vranë kur një tendë u shemb në një stacion treni të sapo rinovuar në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë.