Trajneri Silvinjo po bën gati listën për dy ndeshjet e para në kualifikueset e Botërorit, ndaj Anglisë dhe Andorrës. Risia e parë në listë pritet të jetë mesfushori Etnik Brruti.
21-vjeçari është pjesë e Malishevës në Superligën e Kosovës, ndërsa ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të “dardanët”.
Gjithashtu Brruti ka qenë edhe kapiten i Kosovës U-21, por nuk është grumbulluar nga trajneri i ekipit A, Franco Foda. Nga kjo ka përfituar Silvinjo, i cili sipas raportimeve nga Kosova, duke parë cilësitë e lojtarit, ka vendosur ta ftojë te Shqipëria.
Tashmë ka nisur puna për të bërë gati dokumentacionin dhe Brruti të pajiset me pasaportën shqiptare. 21-vjeçari do të jetë i grumbulluar për dy ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, ndërsa në rast se bind stafin, mund të ftohet edhe për sfidat e tjera.
Përveç Malishevës, Brruti ka luajtur edhe me Besën e Pejës në Kosovë, ndërsa ka qenë edhe pjesë e të rinjve të Prishtinës.