Pas rinumërimit të votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Rrezarta Krasniqi, kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka ngritur shqetësime serioze për parregullsitë që kanë ndodhur gjatë procesit të zgjedhjeve.
Ajo ka deklaruar se është vërtetuar ajo që kishte ngritur si shqetësim dhe se ka pasur ndërhyrje të paligjshme në fletëvotime.
“Nga rinumërimi që ka ndodhur në QNR është vërtetuar ajo që kam ngritur si shqetësim që nga 16 shkurti,” ka thënë Krasniqi, duke theksuar se, në momentin kur nuk dihej ende se kush do të ishte deputet, ndodhi një seri manipulimesh në procesin e votimit.
Ajo ka përmendur ndërhyrjet me kimik dhe shtimin e votave që nuk ishin të vlefshme
“Nga ky rinumrim po vërtetohet ndryshimi i votave për kandidat të caktuar ndërhyrje në fletëvotim (me kimik),janë shtuar vota në sistem pa qenë fare në kuti dhe shumë parregullsi të tjera, ku për shkak të këtyre ndërhyrjeve jam dëmtuar personalisht me dhjetra vota bashkë me disa kandidatë të tjerë në listën tonë dhe padyshim vërehet se edhe janë shtuar vota disa kandidatëve të tjerë, ku njërit kandidat nga Vushtrria i kanë shtuar 88 vota të cilat nuk i kishte marrë nga vullneti i qytetarëve por nga njerëzit e tij në QNR”, ka shkruar Krasniqi.
Krasniqi ka kritikuar ashpër ata që akuzuan se ajo kishte humbur vetëm një votë, duke shtuar se nuk është e vërtetë dhe se kanë qenë fletëvotimet që janë shpallur të pavlefshme.
“Sa i përket akuzave nga ata që kanë manipuluar me vota, se kinse kam dalë 1 votë më pak, aty vërehet qartë se ajo votë nuk është më pak, por ata kanë tentuar ta shtojnë edhe kandidatin në fjalë dhe ai fletëvotim është shpallur i pavlefshëm sikurse janë shpallur mbi 20 fletëvotime vetëm në një vendvotim që kanë ndikuar në rezultatin e shumë kandidatëve”, ka thënë Krasniqi, duke i referuar ndodhisë që ka ndikuar në rezultatin final të shumë kandidatëve
Përfundimisht, Krasniqi ka kërkuar që procesi të hetohet më thellë dhe ka shtuar se do të publikojë një raport të plotë për të dhënë detaje nga këto manipulime, pas hetimeve nga prokuroria.
“Për detaje më të hollësishme nga shtrembërimi i vullnetit të qytetarëve të Vushtrrisë për mua si kandidate e LDK-së dhe disa kolegëve të tjerë do të njoftoheni pas raportit të plotë që do ta publikoj prokuroria,” ka thënë ajo.
Ajo gjithashtu ka theksuar se nuk ka pasur asnjëherë interes personal, por ka qenë gjithmonë në mbrojtje të demokracisë dhe vullnetit të qytetarëve të Vushtrrisë.
“Demokracia për mua, për qytetarët e Vushtrrisë dhe votuesit e LDK-së është më e vlefshme se ambiciet personale tuaja. Drejtësia do të triumfojë!” ka përfunduar Krasniqi