Vendimi i PZAP për të refuzuar anulimin e rezultateve dhe përsëritjen e votimit me postë: LVV s’bëri asnjë ankesë brenda afatit

by Nexhat

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hudhur poshtë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që të anulohen rezultatet e votimit me postë dhe të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta përsërisë votimin.

PZAP tha në vendimin e publikuar se ka gjetur se ankesa e LVV-së “është e pasafatshme”.

banner

“Pretendimet e parashtruesit të ankesës se në vazhdimësi gjatë këtij procesi në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë, kanë identifikuar parregullsi lidhur me procesin e regjistrimit dhe votimit përmes postës janë të pasafatshme”, thuhet në vendimin e PZAP.

Paneli thotë se LVV ka mundur t’i paraqes parregullsitë në afatin 48 orësh, siç përcaktohet me ligj.

“Pretendimet e parashtruesit të ankesës se në listën e votuesve jashtë vendit janë të regjistruar persona me e-mail adresa që janë përdorur më shumë se katër (4) herë, dhe persona që janë regjistruar me të njëjtin numër telefoni që është përdorur në shumë se 4 herë, si dhe pretendimet ku dyshohet për të dhëna për numrin (unik) të aplikimit që është i përsëritur shumë herë, megjithëse i njëjti mund të jepet veç një herë, Paneli gjeti se pretendimet e paraqitura për këtë çështje janë të parashtruara pas afatit ligjor për ankimim, pasi që pala ankuese këto parregullsi ka mundur ti paraqes në momentin kur ka kuptuar per shkeljet e tilla ashtu siç parashihet me nenin 10 dhe 98 të LZP-së, ndërsa KQZ me datë 04.01.2025, me vendimin numër 01/19-2025, ka certifikuar Listën e Përfundimtare të Votuesve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës 2025, që janë mbajtur me datë 9 shkurt 2025, pra gjatë gjithë kësaj periudhe kohore pala ankuese nuk ka paraqitur ndonjë ankesë per parregullsitë e pretenduara rreth listës së votuesve me post të cilët kanë aplikuar për tu regjistruar, e rrjedhimisht ka lëshuar afatin ligjor prej 48 orëve për të kontestuar vendimin e KQZ-së për certifikimin e listës përfundimtare të votuesve të datës 04.01.2025, në PZAP”, thuhet në vendim.

Edhe pretendimet për parregullsitë e evidentuara “mbi mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve, numrat e kandidatëve të shënjuar në mënyrë të përqendruar, formën e fletëvotimeve, formën e shënjimit të fletëvotimeve e të cilat më shumë i ngjasojnë votimit kolektiv, të personave të tjerë në emër të votuesve se sa votimit individual”, PZAP thotë se janë bërë pas afatit ankimor.

“Ndërsa pretendimet e parashtruesit të ankesës se në Qendrën e Numërimit të Rezultateve në Prishtinë, kanë identifikuar parregullsi lidhur me votimin përmes postës respektivisht parregullsitë e evidentuara mbi mënyrën e plotësimit të fletëvotimeve, numrat e kandidatëve të shënjuar në mënyrë të përqendruar, formën e fletëvotimeve, formën e shënjimit të fletëvotimeve e të cilat më shumë i ngjasojnë votimit kolektiv, të personave të tjerë në emër të votuesve se sa votimit individual, për Panelin këto pretendime janë te paraqitura pas afatit te paraparë ligjor për tu ankimuar”.

Në këtë rast, PZAP thekson se “nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, konstatohet se ankesa është e parashtruar pas afatit ligjor për paraqitjen e saj”.

“Në njoftimin e KQZ-së i publikuar në web faqen e saj ndër të tjera thuhet se “…Prishtinë, 04 mars 2025, 16:00 – Në Qendrën e Numrimit dhe Rezultateve është përmbyllur numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës, i cili kishte filluar me 28 shkurt…” ndërsa pala ankuese gjegjësisht subjekti politik LVV ankesën e ka dorëzuar në PZAP me datën 07 mars 2025 në ora 20:20 minuta që do të thotë se ankesa për këto pretendime është dorëzuar pas afatit të paraparë ligjor prej 48 orëve bazuar në nenin 105 paragrafi 1 i LZP-së, në të cilin nen në mënyrë decidive thuhet se: “Ankesat lidhur me administrimin e numërimit në QKN dhe QNR dorëzohen me shkrim pranë PZAP-së brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar“”, thuhet në vendim.

“Paneli gjeti se e njëjta është ushtruar pas afatit ligjor, dhe nga arsyet e theksuara më lartë e në kuptim të nenit 105 paragraf 1 i LZP-së, dhe nenit 9 paragrafi 5 nën paragrafi 5.16 të Rregullës 01/2024, për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave, paneli vendosi si në dispozitiv të këtij vendimi”, thotë PZAP në fund të arsyetimit të vendimit.

Kundër këtij vendimi, LVV mund të ankohet brenda 48 orësh në Gjykatën Supreme, e cila është instanca e fundit që vendos.

LVV u ankua në PZAP për “manipulim të fletëvotimeve” në votimin me postë.

Kryeministri Albin Kurti, kryetar i këtij subjekti politik, u pyet sot në një konferencë për media se a do të ankohen në Gjykatën Supreme në rast se PZAP do ta hudhte poshtë ankesën e tyre.

“Sa i përket çështjeve të procesit zgjedhor – se zgjedhjet nuk janë kryer edhe pse votimet kanë mbaruar – derisa nuk bëhet certifikimi i rezultateve, unë besoj që organet tona të Lëvizjes Vetëvendosje do t’i marrin qëndrimet e vendimet e duhura. Ajo është një pjesë tjetër me të cilën nuk po arrij që të merrem mbase sa do të duhej, por edhe nuk është vendi këtu që të flas”, tha ai.

LVV-ja mori mbi 30 mijë vota nga ato me postë, apo 51.57%, rezultat ky dukshëm më i ulët sesa ai që e kishte marrë në zgjedhjet e vitit 2021 nga votat nga jashtë.

LDK-ja ka marrë 30.55% të votave me postë, PDK-ja 9.48% dhe koalicioni i AAK-së, Nismës dhe të tjerëve 3.23%.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy