Situata me zjarret që përfshinë bjeshkët e Deçanit, është vënë nën kontroll. Kështu ka njoftuar kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj.
Ramosaj tha se vënia nën kontroll e zjarrit erdhi falë përkushtimit të ekipeve të zjarrfikësve, vullnetarëve, punëtorëve të Parkut Kombëtar dhe institucioneve përgjegjëse.
“Falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan në menaxhimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit. Iu bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm dhe të raportojnë çdo rrezik të mundshëm në natyrë”, ka shkruar Ramosaj në Facebook
Edhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se zjarri është nën kontroll. Madje AME shton se në nivel vendi janë vërejtur shtim i zjarreve.
“Sipas raporteve të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112, në nivel vendi është vërejtur një shtim i zjarreve. Një nga zjarret më të mëdha aktualisht është regjistruar në Komunën e Deçanit, në vendin e quajtur “Çeli”, ku kanë përfshirë një sipërfaqe me gështenja dhe shkurre
Pas pranimit të njoftimit, janë mobilizuar forcat e NJPZSH-Deçan dhe NJPZSH-Junik, pjesëtarë nga Agjencia Pyjore si dhe vullnetarë. Ekipet po punojnë intensivisht për shuarjen dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit, aktualisht, zjarri është nën kontroll”, thuhet në njoftim
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka apeluar për kujdes të shtuar nga të gjithë qytetarët, veçanërisht gjatë stinës së thatë, duke shmangur ndezjen e zjarreve në natyrë dhe duke raportuar menjëherë çdo rast të dyshimtë në numrin emergjent 112.
“Ky numër është falas nga të gjithë operatorët e komunikimit elektronik në Kosovë. Kujdesi dhe veprimi i shpejtë i secilit mund të ndihmojë në parandalimin e dëmeve të mëdha në mjedis dhe rrezikut për jetën dhe pronën e qytetarëve”, thuhet në njoftim