NATO publikon deklaratën me mesazhin e Rutte në Sarajevë: Zgjidheni këtë problem të rajonit dhe Europës

by Nexhat

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte po qëndron në Bosnjë e Hercegovinë. Në Sarajevë, ai u takua me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Aleanca publikoi deklaratën e plotë të Rutte, ku ai thotë ndër tjerash në Bosnjë se “nuk është viti 1992”.

banner

“Tre dekada pas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, mund t’ju them se NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj stabilitetit të këtij rajoni dhe ndaj sigurisë së Bosnjë e Hercegovinës”, thotë ai në fillim të fjalës së tij.

“Kam tre mesazhe kryesore për t’ju përcjellë sot, por njëri prej tyre është më i rëndësishmi”, thotë Rutte.

“Së pari, angazhimi ynë ndaj Bosnjë e Hercegovinës është i palëkundur. NATO mbështet plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës. Marrëveshja e Paqes e Dejtonit është gurthemeli i paqes në këtë vend dhe duhet të respektohet. Ne mbështesim Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë. Çdo veprim që minon Marrëveshjen e Dejtonit, rendin kushtetues apo institucionet kombëtare është i papranueshëm. Retorika dhe veprimet nxitëse janë të rrezikshme. Ato përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe sigurinë e Bosnjë e Hercegovinës”, thotë ai.

Më pas, Rutte thotë se “tani vjen mesazhi im kryesor”.

“Do të jetë në dorën e liderëve politikë të Bosnjë e Hercegovinës që ta marrin përgjegjësinë. Dhe ata jeni ju të tre. Nuk ka alternativë tjetër. Ju duhet ta bëni këtë”, thotë ai, duke iu drejtuar anëtarëve të Presidencës së BeH.

“Këtë e thashë edhe në takim. Më kërkuat ta përsëris atë që thashë në takim. Dhe ky ishte mesazhi im kryesor: Ky vend po ju shikon ju të treve. Kjo ka të bëjë me lidershipin personal. Bëjeni këtë vend krenar për presidencën e tij. Zgjidheni këtë problem. Dhe kjo jo vetëm që do ta ndihmojë këtë vend të ecë përpara, por edhe rajonin dhe të gjithë Europën”, shton ai.

Më pas, flet për situatën e sigurisë.

“Sigurisht, dëgjoj shqetësime për situatën e sigurisë. Por le të jemi të qartë: kjo nuk është viti 1992. Dhe ne nuk do të lejojmë krijimin e një vakumi të sigurisë”, shprehet shefi i NATO-s.

Rutte thotë se “bashkësia ndërkombëtare është këtu dhe e përkushtuar për të vazhduar mbështetjen tonë të fortë, duke përfshirë edhe përmes EUFOR-it dhe NATO-s”.

“E di që EUFOR-i është plotësisht i përgatitur për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm në Bosnjë e Hercegovinë. Dhe mezi pres të vizitoj Kampin Butmir më vonë gjatë ditës”.

“Ne nuk do të lejojmë që paqja, e arritur me shumë vështirësi, të vihet në rrezik. NATO do të vazhdojë të mbështesë Bosnjë e Hercegovinën në rrugën e saj europiane dhe euroatlantike, në të cilën po ecën përpara. Ne e bëjmë këtë së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Europian dhe Përfaqësuesin e Lartë, autoriteti i të cilit duhet të ruhet”.

Ai tha se “është thelbësore që liderët politikë të Bosnjë e Hercegovinës ta bëjnë pjesën e tyre të punës”.

“I gjithë rajoni do të përfitojë nga një angazhim i sinqertë për pajtim dhe paqe të qëndrueshme. E theksoj të njëjtën gjë për të gjithë aktorët në rajon. Dhe më lejoni ta nënvizoj këtë qartë: për të gjithë aktorët në rajon”, nënvizoi Rutte.

Shefi i NATO-s tha se së Aleanca ka “një partneritet të fortë”.

“Dhe jemi të gatshëm të ndërtojmë mbi mbështetjen e gjatë të NATO-s për forcat tuaja të armatosura dhe për reformat në mbrojtje dhe siguri. Dhe po, do të ishte shumë e rëndësishme nëse mund të shpenzonit pak më shumë për forcat tuaja të armatosura, pajtohem. Ne kemi mjetet për ta bërë këtë, përfshirë: • Shtabin tonë në Sarajevë; • Qelizën tonë të sapoformuar Politike; • Dhe Paketën tonë për Ndërtimin e Kapaciteteve të Mbrojtjes”.

Rutte tha se NATO është gati të ecë përpara në hap me BeH dhe “në përputhje me vendimet sovrane”.

“Sovraniteti juaj dhe integriteti juaj territorial, siç përcaktohet në Marrëveshjet e Dejtonit, mbeten thelbësore si për sigurinë, ashtu edhe për stabilitetin e rajonit. Pra, Bosnjë e Hercegovina mund të llogarisë në mbështetjen e palëkundur të NATO-s. Por më lejoni të kthehem te mesazhi im kryesor për sot: Ju duhet ta zgjidhni këtë. Ju të tre. Unë besoj sinqerisht se ky është takimi juaj me historinë. Edhe një herë, ju falënderoj shumë që më pritët sot. Dhe sigurisht, mezi pres të vazhdojmë diskutimet tona dhe të pres vizitën tuaj në Bruksel në prill”, tha ai.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy