Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur thellësisht e shqetësuar lidhur me deklarimin e Qeverisë së Kosovës, se odat ekonomike nuk duhet të komentojnë çështjet që kanë të bëjnë me promovimin e sundimit të ligjit dhe llogaridhënies në qeverisje, pasi OEAK kishte reaguar për mosparaqitjen e kryeministrit Albin Kurti për intevistim në Prokurorinë Speciale për rastin e dyshimeve për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
“Si një organizatë që për më shumë se dy dekada ka avokuar për një mjedis më të favorshëm afarist në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se keqpërdorimet e pretenduara në prokurimin publik minojnë konkurrencën e drejtë ndërmjet operatorëve ekonomikë dhe çojnë në keqpërdorimin e mundshëm të fondeve publike, duke cenuar kështu besimin e tatimpaguesve”, thuhet në reagimin e OEAK-së.
Kjo odë thotë se është shqetësues “insistimi i pushtetit ekzekutiv që të diktojë diskursin e akterëve joshtetërorë, e bartësve të pushteteve të pavarura, përmes përpjekjeve për delegjitimim të qëndrimeve të tyre”.
“Kosova ka ndërmarrë përpjekje të jashtëzakonshme për të ndërtuar themele të forta të demokracisë, dhe asnjë përpjekje nuk mund të cenojë suksesin e arritur”, thuhet në reagim.
OEAK thotë se “është e domosdoshme që institucionet e drejtësisë të lejohen të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje dhe që të gjithë të bashkëpunojnë me to, duke konfirmuar në këtë mënyrë rëndësinë e një sistemi të pavarur dhe funksional të drejtësisë, si themel i një ekonomie të qëndrueshme dhe konkurruese”.
“Në këtë drejtim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se çdo individ, pavarësisht pozitës zyrtare, ka obligim kushtetues dhe ligjor për të dëshmuar në praktikë se Kosova është një shtet i së drejtës”, thuhet në reagim.
OEAK kishte thënë se respektimi i kornizës ligjore është parakusht themelor për qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik, ndërsa kishte shtuar se mosbindja e cilitdo individ për zbatimin e urdhrave të gjykatës minon besimin e publikut.
“Refuzimi i cilitdo individ – pavarësisht pozitës – për të zbatuar urdhrat e gjykatës dhe për të përmbushur procedurat ligjore minon besimin e publikut në qeverisje si dhe gërryen bazamentin demokratik të Kosovës. Kodi Penal, përforcon pasojat ligjore të pengimit të drejtësisë dhe keqpërdorimit të autoritetit zyrtar. Çfarëdo veprimi që pengon ose cenon proceset gjyqësore duhet të dënohet pa mëdyshje, meqë kërcënon parimet e llogaridhënies dhe transparencës”, thuhej në reagimin e Odës Ekonomike Amerikane.
Kurti i reagoi OEAK-së përmes Zyrës së Kryeministrit.
“Nuk është dhe nuk mund të jetë detyrë e cilitdo, e sidomos dhomave tregtare e ekonomike të japin opinione ligjore apo të ndikojnë në proceset gjyqësore. Bizneset dhe organizatat ekonomike kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit”, shkroi ZKM të premtën në një reagim të ri mbi çështjen e dëshmisë së Kurtit.