Presidenti i SHBA Donald Trump tha të dielën se një mbyllje e qeverisë “mund të ndodhë” nëse Dhoma e Përfaqësuesve nuk mund të mbledhë vota të mjaftueshme për të miratuar një projektligj të përkohshëm financimi, por ai mbetet optimist se masa do të miratohet.
“Kjo mund të ndodhë. Nuk duhet të kishte ndodhur dhe ndoshta nuk do të ndodhë. Mendoj se CR do të kalojë. Do të shohim,” tha Trump kur u pyet nga gazetarët nëse do të ketë një mbyllje të qeverisë këtë javë kur financimi të mbarojë më 14 mars.
Ai i referohej projektligjit, një rezolute të vazhdueshme, ose CR, që do të financonte qeverinë në nivelet aktuale për pjesën e mbetur të vitit fiskal 2025, i cili përfundon më 30 shtator.
Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, shpalosën të shtunën një projekt-ligj për shpenzime gjashtëmujore dhe një votim mbi masën pritet të martën.
Trump të shtunën sinjalizoi mbështetjen e tij për rezolutën e vazhdueshme dhe u kërkoi republikanëve të tij që të votojnë në favor të saj.
“Të gjithë republikanët duhet të votojnë (Ju lutem!) PO javën e ardhshme”, postoi Trump në rrjetet sociale të shtunën.