Përfshirje në diplomaci, libra dhe komunë boshnjake: Kërkesat dhe kushtet e komuniteteve për Qeverinë e re

by Nexhat

Formimi i Qeverisë së re në Kosovë si proces ndodhë pas certifikimit të zgjedhjeve dhe konstituimit të Kuvendit. Megjithatë për t’u formuar Qeveria, duhen së paku 61 vota në Kuvendin e Kosovës.

48 mandate pritet që t’i ketë Lëvizja Vetëvendosje, 24 Partia Demokratike e Kosovës, 20 Lidhja Demokratike e Kosovës, 8 koalicioni AAK-NISMA, 10 komunitetet jo shumicë joserbe dhe 10 mandate komuniteti serb.

banner

Duke qenë se asnjë parti si e vetme nuk i ka 61 mandate detyrimisht lind nevoja për koalicion paszgjedhor.

Në koalicionin qeverisës, sipas Kushtetutës, duhet të jenë edhe komunitetet joshumicë, kjo pasi akti më i lartë juridik i shtetit u garanton atyre të kenë pozita në Qeveri.

Pas zgjedhjeve të 09.02.2025, disa nga përfaqësuesit e partive të komuniteteve kanë vendosur kushte për të votuar Qeverinë e re, e disa paralajmërojnë se do të bëjnë kërkesa.

Emilja Rexhepi që në Qeverinë aktuale është zëvendëskryeministre dhe ka fituar mandatin e deputetes me partinë Nova Demokratska Stranka, është shprehur se po presin rezultatet zyrtare nga KQZ për të filluar bisedimet, teksa shprehet e gatshme të jetë pjesë e një Qeverie me Lëvizjen Vetëvendosje.

E pyetur për kushtet që i kanë për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re, Rexhepi tha se fjala “kusht” nuk është e mirë për veprimtarinë brenda qeverisë. Por, ajo nuk e përjashtoj mundësinë për të kërkuar që në diplomaci të përfshihen edhe pjesëtarët e komunitetit boshnjak.

“Nuk po ka vend fare për pakicat në diplomaci dhe sigurisht se do të kërkojmë nga qeveria e ardhshme dhe presidentja që boshnjakët të përfshihen. Gjysma e komunitetit tonë jeton në diasporë dhe ata meritojnë të jenë të përfshirë nëpër ambasadat dhe konsullatat e tyre. Nuk duhet që vetëm shqiptarët të punojnë aty, duhet t’u jepet hapësirë të gjithë popujve” – deklaroi Rexhepi për KALLXO.

E pyetur rreth mundësisë së përfshirjes në opsionin 2, formimin e një Qeverie nga opozita, Rexhepi u përgjigj: “Po e presim formimin e Qeverisë Kurti 3”.

Derisa Rexhepi ka kërkesa, Duda Balje e cila udhëheq me partinë Socijaldemokratska Unija ka kushte për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re.

Balje thotë se kushti kryesor është fillimi i procesit të formimit të një komune boshnjake, teksa thotë se deri më tani nuk është ftuar për të biseduar për formimin e Qeverisë.

“Komunën e boshnjakëve jemi duke e pritur që nga pas lufta. Kuptohet se nuk ka qenë koha, sepse kemi qenë në zhvillim e tranzicion, por tash mendoj që në bazë të ligjit që ne e kemi, duhet të formohet komuna. Unë e di që nuk mundesh me një votim me e përfundu, por së paku me fillu procesin”, ka deklaruar ajo.

“Pavarësisht sa vite do të zgjasë [ky proces], jemi komunitet që i plotëson kushtet me pas komunë për shkak të numrit të popullsisë. Qeveria është e obliguar. Në fakt ky nuk është kusht, por vetëm me obligu Qeverinë me e respektu ligjin” – thotë Balje.

Ajo bën të ditur se këtë dhe kushtet tjera ia ka dërguar me shkrim kryeministrit Kurti.

“Kushti i dytë është për reforma në arsim. Kemi problem me librat. Unë para kryeministrit, në mënyrë të shkruar i kam caktuar kushtet dhe ato janë baza për bisedë” – thekson Balje.

E pyetur se a është e hapur për një Qeveri të opozitës, Balje thotë se nuk dëshiron të hyj në ‘luftërat’ mes partive shqiptare.

“Për ne komunitetet është më e rëndësishme se në cilën anë bëhen numrat dhe do e kenë përkrahjen tonë. Ne nuk kemi qenë asnjëherë destruktivë. Unë nuk du me hy në biseda se kush e tek, por pa marr parasysh a pozita a opozita këto janë kushtet për të gjithë” – u shpreh Balje.

Partia e parë me më së shumti vota nga Zgjedhjet e vitit 2025 është Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 396,022 vota, apo 42.27% – duke siguruar kështu 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Pas LVV-së, Partia Demokratike (PDK) është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96 %, e cila do t’i ketë 24 mandate. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% do t’i ketë 20 deputetë. Kurse, Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.

Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera janë fituar nga komunitetet tjera joshumicë, me dy deputetë Kosova Demokratik Turk Partisi dhe me nga një deputet janë partitë: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy