Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte foli për “rol humanitar” të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I pyetur nëse ka ndryshuar qasja e NATO-s lidhur me tranzicionin e FSK-së, ai tha se NATO sigurohet që ajo të jetë efektive “si force humanitare kur ka fatkeqësi natyrore ose njerëzore”.
“Mandati është që të sigurohemi që FSK-ja të jetë efektive në rolin e vetë humanitar këtu në Kosovë. Kështu është saktësisht mandati i NATO-s, për ta ndihmuar FSK-në që të jetë më e mirë si forcë humanitare kur ka fatkeqësi të tilla natyrore ose njerëzore. Ky është mandati, në këtë punojmë çdo ditë dhe vazhdimisht”, tha ai.
Osmani e mori fjalën më pas, për të thënë se vështirësia për t’u anëtarësuar në NATO “nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë”.
“Kjo e shndërron çdo vendimmarrje rreth avancimit të raporteve mes NATO-s dhe FSK-së në një çështje jashtëzakonisht komplekse. Megjithatë kjo nuk nënkupton që FSK-ja nuk e ka mandatin e plotë, ashtu siç parashihet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara në Republikën e Kosovës si forcë e cila e mbron sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të gjithë qytetarët e vendit. Përveç kësaj, ne kemi gjetur mënyra të tjera për ta avancuar rolin e FSK-së dhe kontributin e saj për paqe dhe sigrui në vende të tjera përreth globit nëpërmjet marrëveshjeve të bashkëpunimit dypalësh, të cilat i kemi me shtetet anëtare veç e veç”, tha ajo, pasi kujtoi se katër shtete anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën
Ajo përmendi një shkëmbim letrash “para shumë vitesh” ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe ish Sekretarit të Përgjithshëm që “ka të bëjë me rritjen e nivelit operacional të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe FSK-së”.
“Dhe ne do të punojmë së bashku për të parë se si është mënyra më e mirë që kjo të funksionojë në praktikë, duke mos harruar që, të gjithë ushtarët e Kosovës janë trajnuar pikërisht nga shtetet anëtare të NATO-s dhe nga vetë NATO-ja për trajnime të caktuara dhe funksionojnë në përputhje të plotë me standardet e NATO-s”, tha Osmani