Donald Trump ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes mes SHBA-së dhe Ukrainës në Jeddah, Arabinë Saudite.
Lideri amerikan pas dakordimit për një armëpushim 30-ditor, thotë se SHBA-ja do të takohet me Rusinë sonte ose nesër.
Ai do të flasë këtë javë me presidentin rus, Vladimir Putin, por u tha gazetarëve se “duhen dy vetë për tango”
Presidenti i SHBA-së gjithashtu konfirmoi se do ta ftojë homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskyn përsëri në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar “ne duam ta ndalim luftën në Ukrainë”.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës “do të heqin menjëherë pezullimin e ndarjes së informacioneve të inteligjencës dhe do të rifillojnë ndihmën e sigurisë për Ukrainën”, shkruan skynews.
Kështu kanë konfirmuar zyrtarët amerikanë dhe ukrainas në një deklaratë të përbashkët lidhur me takimin e tyre në Jedda, Arabinë Saudite.
Kievi gjithashtu “shprehu gatishmërinë për të pranuar propozimin e SHBA-së për të zbatuar një armëpushim të menjëhershëm dhe të përkohshëm 30-ditor, i cili mund të zgjatet me marrëveshje të ndërsjellë të palëve dhe që varet nga pranimi dhe zbatimi i njëkohshëm nga Federata Ruse”, thuhet në deklaratë.
“Shtetet e Bashkuara do t’i komunikojnë Rusisë se reciprociteti rus është çelësi për arritjen e paqes”, vijon deklarata
Të dyja vendet kanë thënë gjithashtu se kanë rënë dakord të përfundojnë një marrëveshje për zhvillimin e burimeve kritike minerale të Ukrainës.
Palët kanë rënë dakord gjithashtu të caktojnë ekipet e tyre negociuese dhe të nisin menjëherë bisedimet drejt një paqeje të qëndrueshme që garanton sigurinë afatgjate të Ukrainës.
Ndryshe, palët janë takuar për më shumë se tetë orë të martën në qytetin port të Arabisë Saudite.