Ish-ministrja dhe kandidatja për deputete nga LDK, Hykmete Bajrami, ka thënë se sot s’është lajm se çfarë ka thënë për LDK-në ministri i Kulturës, Hajurllah Çeku, por shtypja e gazetarëve në RTK dhe akuzat e bëra nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj mediave dhe gazetarëve.
“Sot, nuk është lajmi kryesor se çfarë thotë Çeku i Vetëvendosjes për LDK-në, por se si Vetëvendosje po shtyp gazetarët në Televizionin Publik, se si përfaqësuesi i Vetëvendosjes i akuzon gazetarët se po punojnë për “media kriminale, të vrasësve me pagesë”. Sot, dhe çdo ditë duhet të merrmi me këta pushtetarë që kanë instaluar mekanizma shtypës ndaj gazetarëve dhe se si partia në pushtet, përmes veglave partiake, po i ndëshkon dhe disiplinon gazetarët e RTK-së, e po provon të njëjtën gjë të bëj edhe me mediet private”, ka shkruar Bajrami.
Ajo tutje ka thënë se është koha që drejtësia të merret me “dhunuesit e RTK-së” dhe “dhunuesit e gazetarëve profesionistë” që punojnë në RTK.
“RTK-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nuk është televizion i partisë në pushtet. Ka ardhur koha që organet e drejtësisë të merren seriozisht me dhunuesit e RTK-së dhe me dhunuesit e gazetarëve profesionistë që punojnë aty”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka thënë se partia në pushtet s’e ka hallin kush e mban fjalën ose jo, por ka frikë nga llogaridhënia për “krimin, korrupsionin dhe subvencionet partiake e familjare”.
“Shqetësimi më i madh i pushtetarëve nuk është kush e mban fjalën e kush jo, sepse në fund secili jepë përgjegjësi për fjalën e dhënë, këta e kanë një frikë tjetër është frika për llogaridhënie për krimin, korrupsionin dhe subvencionet partiake e familjare madje edhe në Ministrinë e Kulturës. Këta mendojnë se të vetmin shpetim e kanë duke qëndruar në pushtet, kështu mendojnë t’i shpëtojnë drejtësisë, njëjtë siç po bën prej kohësh shefi i tyre, duke mos dhënë as deklaratë si dëshmitar në Prokurori”, ka shkruar Bajrami.