Një reagim i bërë nga ana e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ndaj të parit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për deklaratën e këtij të fundit se pa pozitën e kryeministrit nuk hyjnë në koalicion me partitë opozitare, ka ngjallur reagime të anëtarëve të kësaj partie.
Përveç Doarsa Kica- Xhelili, është edhe Jehona Lushaku Sadriu nga LDK ajo që i ka reaguar Çekut, duke thënë se ‘‘të jesh fitues i zgjedhjeve nuk do të thotë të keshë të drejtën të bllokosh projekte në nivele komunale’’, duke theksuar vendimin e sotëm të ministrit Çeku ‘‘për t’i ndaluar punimet në projektin e Sheshit “Xhorxh Bush”në Prishtinë’’.
Lushaku-Sadriu ka thënë se ky vendim i Çekut tregon më së miri se si VV-ja e kupton pushtetin.
Postimi:
Qeveri bllokadash!
Ministri Hajrullah Çeku sot komentoi për fituesit e zgjedhjeve, por në të njëjtën kohë dha urdhër për t’i ndaluar punimet në projektin e Sheshit “Xhorxh Bush”në Prishtinë.
Të jesh fitues i zgjedhjeve nuk do të thotë të keshë të drejtën të bllokosh projekte në nivele komunale, mbasi partia jote nuk qeveris në atë komunë. Ky veprim i Ministrit Çeku tregon më së miri se si e kuptojnë pushtetin në VV: pra, si një mundësi për të bllokuar çdo iniciativë dhe projekt të partive të tjera, qoftë edhe nëse me këtë i ndëshkojnë qytetarët e këtij vendi, në këtë rast të kryeqytetit të Kosovës.
Fakti që ata e përkthejnë pushtetin në një mjet për të penguar zhvillimin e projekteve për qytetarët e Kosovës është një tregues i qartë i mënyrës se si kjo Qeveri e Vetëvendosjes e përdor pushtetin për interesa të ngushta partiake.
Kjo është një dëshmi e plotë e mentalitetit që dominon në VV: bllokada dhe pengesa për çdo iniciativë që nuk është e tyre.
Për keqardhje!