Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për herë të parë ka folur pas bisedimeve të djeshme midis Ukrainës dhe SHBA-së, dhe pranimit të planit të armëpushimit nga vendi i tij.
Ai i vlerëson ato bisedime si “konstruktive” dhe thotë se dëshiron të përdorë armëpushimin e mundshëm 30-ditor si një shans për të hartuar një plan të përhershëm paqeje, i cili mund të përfshijë garanci sigurie.
“Ne do të duhet ta diskutojmë atë në më shumë detaje nëse do të kemi një armëpushim 30-ditor. Këto 30 ditë do të duhet të përdoren për të hedhur disa çështje në letër”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas theksoi se “të gjithë” do të duhet të jenë pjesë e një bashkimi për ta bërë Rusinë të detyrohet të pranojë paqen.
“Gjithçka varet nëse Rusia është e gatshme ta bëjë këtë, të vendosë një armëpushim, ose nëse është e gatshme të vazhdojë të vrasë njerëz”, shtoi Zelensky.
Gjithashtu tha se nuk ka “dëgjuar asgjë” për një ftesë të dytë të raportuar në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Donald Trump, por thotë se rifillimi i ndihmës ushtarake amerikane dhe shkëmbimi i inteligjencës është “shumë pozitiv”.

Presidenti i Ukrainës u shpreh i gatshëm të nënshkruajë kornizën për një marrëveshje mineralesh me SHBA-në, të cilën ai nuk e nënshkroi në vizitën e tij në Uashington dy javë më parë.
Për zgjedhjet në Ukrainë, Zelensky thotë se do të mbahen vetëm pasi të hiqet ligji ushtarak në vend në përputhje me legjislacionin.
“Ukraina nuk do të njohë territorin e pushtuar nga Rusia”, tha Zelensky
Lideri ukrainas ka folur edhe për vijat e tij të kuqe në çdo armëpushim të mundshëm, duke thënë se çdo pushtim rus nuk do të njihet nga ai. Ai thotë se “kjo është lufta jonë për pavarësi”.
“Ne nuk do t’i pranojmë territoret e pushtuara që të njihen si territor rus. Fakt është se njerëzit tanë luftuan për të. Heronjtë tanë luftuan për këtë, u plagosën, vranë shumë prej tyre. Askush nuk e harron këtë. Kjo është vija e kuqe më e rëndësishme. Ne kurrë nuk do të lejojmë askënd ta harrojë këtë krim kundër Ukrainës”, tha Zelensky.
Deklaratat e tij pasi Marco Rubio tha më herët këtë mëngjes se kishte pasur diskutime për koncesionet e territorit.
Në konferencën për shtyp, Zelensky tha se partnerët e Ukrainës “kanë premtuar veprime të forta, duke përfshirë sanksione kundër Rusisë dhe ndihmë ushtarake për ne” nëse Moska nuk bie dakord për një marrëveshje.