Komisionerja e BE për Zgjerim në Tiranë, Rama: Shqiptarët me pasaportë Europiane brenda kësaj dekade

by Nexhat

Komisionerja e Zgjerimit në BE, Marta Kos ka vizituar sot Shqipërinë ku është takuar me  kryeministrin Edi Rama.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria është shumë e vendosur që ta përmbushë me sukses objektivin e përfundimit të negociatave brenda 2027-ës.

banner

“Ne në rajon e kemi pritur me entuziazëm zgjedhjen tuaj sepse ju jeni edhe e BE-së, por edhe e jona, duke qenë nga një vend i rajonit, i cili ka shkëlqyer në rrugën e vet dhe sot është një anëtar krenar i BE-së, Sllovenia. Dhe sidoqoftë duke pasur gjakun më pranë nesh sesa pranë Brukselit shpresoj dhe jam i bindur në fakt, megjithëse ju s’do e thoni këtë më vjen jashtëzakonisht mirë që takohemi në një moment kur ne kemi arsye të jemi krenarë për çfarë kemi bërë, ju keni arsye për të na mbështetur pa rezervë, por dua ta theksoj, ne nuk e marrim mbështetjen tuaj si diçka të dhënë një herë e mirë, por si diçka që duhet fituar çdo ditë”, u shpreh Rama.

Nga ana tjetër, shtoi Rama, “ne jemi shumë të vendosur që ta përmbushim me sukses objektivin shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027-ës dhe ambicia ime ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade dhe të mundet që kur ulen në aeroportet e Evropës të hyjnë nga ai korridori me atë konstelacionin e yjeve dhe jo nga ai korridori tjetër ku shkruan “të tjerët. Kjo është shumë e rëndësishme për ne se na iku jeta tek të tjerët, me shekuj”.

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos tha se gjeopolitika sot në Evropë është një tregues se rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së është i sigurt dhe i vërtetë.

“Sigurisht që gjeopolitika, është ajo sot që na tregon se gjithçka mund të jetë e mundur dhe një gjë mund të jetë stabël dhe rrugëtimi juaj drejt BE-së është i sigurt në udhën e vet dhe është i vërtetë. Më pëlqen që takohem me ju, me ekipin tuaj, me Majlindën kryenegociatoren dhe shoh që jeni kaq pasionant për vendin tuaj por edhe për BE-në dhe erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe që janë objektiva realiste dhe jo thjesht, ambiciozë”, u shpreh ajo.

“Dhe siç e dimë edhe ne, nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e grup-kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre. Jam e sigurt se me të gjithë reformat që ju po kryeni kjo do të jetë e mundur. Me shumë dëshirë, duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, ju e meritoni sepse me ju brenda BE, Evropa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por dhe më e fortë”, tha me tej komisionerja


banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy