Kosova triumfon ndaj Ukrainës dhe mban gjallë shpresat për “Euro 2026”

by Nexhat

Me një fitore dramatike 31:30 ndaj Ukrainës, Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm në hendboll.

Goli vendimtar u shënua në minutat e fundit nga Egzon Gjuka, ndërsa kapiteni Valon Dedaj vulosi suksesin e ekipit kosovar.

banner

Ndeshja, e vlefshme për xhiron e tretë të Grupit 6 të kualifikimeve për “Euro 2026”, u zhvillua të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku atmosfera ishte e zjarrtë falë mbështetjes së madhe të tifozëve.

Kosova e përfundoi pjesën e parë në epërsi 16:12 dhe ruajti avantazhin për pjesën më të madhe të ndeshjes. Megjithëse Ukraina rikuperoi në minutat e fundit, “Dardanët” mbetën të përqendruar dhe siguruan një fitore të rëndësishme në garën për kualifikim.

Kjo fitore e rrit ndjeshëm mundësinë e Kosovës për të arritur Evropianin, që do të ishte një arritje historike për hendbollin kosovar. Sfida e radhës do të zhvillohet të dielën në Klaipeda të Lituanisë, ku Kosova do të përballet sërish me Ukrainën. Për shkak të pushtimit rus, Ukraina është e detyruar t’i zhvillojë ndeshjet si vendëse në vende neutrale.

Dy skuadrat e para nga secili grup sigurojnë automatikisht një vend në Kampionatin Evropian, ndërsa do të kualifikohen edhe katër ekipet më të mira të vendeve të treta nga gjithsej tetë grupe. Kosova synon ta kap këtë mundësi përmes pozitës së tretë.

“Euro 2026” do të mbahet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji, nga 15 janari deri më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy