Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se protestuesit nga Podujeva duhet të respektojnë vendimin, ashtu siç veprojnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës.
Rama ka deklaruar se po përcjell protestën vozitësve të autobusëve nga Podujeva, të cilët po protestojnë para objektit të Komunës, transmeton Telegrafi.
“Me vëmendje po përcjell protestën e vozitësve të autobusëve nga Podujeva, të cilët po protestojnë para objektit të Komunës kundër vendimit për linjat ndërurbane, vendim i cili është zbatuar dhe respektuar në vazhdimësi nga linjat ndërurbane që vijnë nga Drenasi, Peja, Gjakova, Mitrovica, Ferizaji dhe qytete të tjera. Ky vendim kërkon që linjat ndërurbane të përdorin rrugët rajonale dhe të kenë si pikë ndalimi “Stacionin e Autobusëve”. Deri tani, autobusët nga Podujeva kanë qarkulluar edhe brenda Kryeqytetit, gjë që ka rënduar trafikun dhe ka ndërhyrë në kompetencat e trafikut urban, i cili është përgjegjës për shërbimet e trafikut brenda Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.
Ai tutje ka deklaruar se “Bashkë me ekipin tim kam pritur disa herë përfaqësuesit e linjave nga Podujeva dhe jemi dakorduar që linjat nga Podujeva do të ndalojnë tek “Stacioni i Autobusëve”, ndërkohë që Inspektoriati i Kryeqytetit do të kujdeset për largimin e taksive ilegale në rrugën “Ilir Konushevci”, që potencialisht po dëmtojnë operatorët nga Podujeva”.
“Prandaj, ftoj protestuesit që të respektojnë vendimin për të cilin jemi dakorduar në takimet tona – ashtu siç bëjnë edhe linjat e tjera nga qytetet e Kosovës. Përveç tjerash, ky vendim, do të ndihmojë për të ulur ngarkesën e trafikut në rrugën hyrëse dhe dalëse të rrugës “Ilir Konushevci”, e njohur si rruga te “Xhamia e Llapit”. Me këtë reformë, qytetarët nga e gjithë Kosova do të mund të udhëtojnë brenda Kryeqytetit për vetëm 80 cent në ditë, duke përdorur një biletë të përbashkët për të gjitha linjat e transportit publik”, ka pohuar Rama
Kryetari i Prishtinës ka deklaruar se me këtë reformë, qytetarët e Podujevës dhe të gjithë Llapit u sigurohet parkimi në “Kodër të Trimave”, ku mund të lënë automjetet dhe të përdorin transportin urban për t’u lidhur me pjesët e tjera të qytetit.
“Mosrespektimi i vendimit ka sjellë pasoja ligjore, përfshirë gjobat e vendosura nga Policia e Kosovës. Vendimet merren për të mirën e përgjithshme të qytetarëve, dhe unë i ftoj protestuesit të respektojnë këto vendime për të siguruar një Kryeqytet më të organizuar dhe më të sigurt për të gjithë”.