Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe selektori i Kosovës, Franco Foda kanë dhënë deklarata kontradiktore në lidhje me atë nëse është ftuar ose jo te Kosova për ndeshjet e marsit, Etnik Brruti, i cili para pak ditësh i braktisi Dardanët dhe shkoi te Shqipëria e Sylvinhos dhe e Armand Dukës.
Ademi, dje në një intervistë për “ATV” tha se Brruti ishte i ftuar për ndeshjet me Islandën.
“Brruti ka qenë në janar në grumbullimin me Fodën, që është mbajtur në Prishtinë, në Kampin Nacional. Edhe e ka pas ftesën tash”, deklaroi kreu i futbollit kosovar.
Por, selektori Franco Foda sot në konferencë për shtyp mohoi ta ketë ftuar lojtarin për ndeshjet e marsit.
“Për ne me rëndësi është që të kemi lojtarë që duan të luajnë për Kosovën, që duan të luajnë me zemër për Kosovën. Por, Brruti tash ka vendosur të luajë për Shqipërinë dhe i urojmë suksese”, tha fillimisht trajneri gjerman
“Nuk ka pasur ftesë për të për ndeshjet e muajit mars pasi kemi vendosur për lojtarë të tjerë. Por, për të ardhmen ka qenë një opsion real për Kombëtaren A”, përfundoi Foda.