Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot në Veternik, ku një person ka mbetur i plagosur.
Mësohet se të dyshuari i kanë ruajtur transportuesit e parave te automjeti i tyre dhe kur kanë dalë me para nga objekti i kanë sulmuar.
Sipas burimeve të mediave të dyshuarit kanë qenë me një “pick up”.
Deri më tani nuk ka të arrestuar, derisa ekipet e hetuesve janë në vendin e ngarjes.
Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, ka thënë se cak i grabitjes ka qenë një furgon që po transportonte para.
Një person është dërguar për tretman mjekësor pasi është plagosur.
“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen Veternik në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjestarëve që po siguronin një furgon që transportonte para. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë, janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.”
Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla, për Express ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të personit që u plagos.
Syla ka thënë se janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritet të intervenohet me sallën e operimit në Qendrën emergjente.
Ai ka shtuar se gjendja është e rëndë.
“Është sjellë një i plagosur me armë zjarri në QE. Është duke u trajtuar te ne, janë duke u kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritet të intervenohet në sallën e operimit në Qendrën Emergjente nga ekipet e anestezionit dhe kirurgjisë. Gjendja është shumë e rëndë”, ka thënë ai