Ujdia e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut vazhdon të mbetet në ajër dhe dialogu Kosovë- Serbi është bllokuar pothuajse tërësisht. Derisa kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq janë takuar rrallë, tash kur janë mbushur dy vjet nga kjo Marrëveshje, rrethanat gjeopolitike kanë marrë rrjedhë tjetër.
Dy vjet kanë kaluar qëkur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian u pajtuan që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike, që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023. Ata, sikur u pajtuan “për mos t’u pajtuar më”.
Në takimin buzë liqenit të Ohrit, dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
E si “shpërblim”, BE-ja kishte marrë përsipër të organizonte një konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihme financiare për Kosovën dhe Serbinë.
Profesori në pension i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, më parë në Qendrën për Çështjet Globale të Universitetit të Nju Jorkut dhe anëtar i lartë në Institutin e Politikave Botërore, Alon Ben-Meir në një intervistë për KALLXO.com, fajëson dy shtetet, dy liderët dhe Bashkimin Evropian për dështimin e dialogut.
Mirëpo, ai e pranon që BE-ja ka bërë më shumë presion ndaj Kosovës sesa ndaj Serbisë për t’i zbatuar pikat e Marrëveshjes. Madje, sipas tij, BE-ja ka dështuar të përdorë ndikimin e saj të konsiderueshëm në mënyrë efektive.
Dialogun do e trasojë, sipas tij, dora e presidentit amerikan Donald Trump. Edhe pse Meir thotë që Trumpi ka më shumë interesa ekonomike kah Serbia, ai beson që nuk do ta braktisë Kosovën për t’ia lënë çështjen ekskluzivisht BE-së. Mirëpo, sipas tij, Trump do të ushtrojë më shumë presion mbi Kosovën sesa mbi Serbinë në përpjekjet e tij për të zbutur konfliktin Kosovë-Serbi.
“Kushdo që do të formojë Qeverinë e re në Kosovë duhet të jetë i gatshëm të përballet me një President të SHBA-së që është jokonvencional dhe i paparashikueshëm. Dhe të jetë i gatshëm për të gjitha mundësitë që mund të ndodhin”, tha ndër të tjera gjatë intervistës.
Në lidhje me pengesën që po e bën Serbia ndaj Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Ben-Meir tha administrata Trump do të ketë një ndikim më të madh mbi Serbinë sesa BE-ja dhe “madje do ta detyrojë atë të ndalojë përpjekjet për të bindur shtetet që kanë njohur Kosovën të tërheqin njohjen”.