Universiteti i Stambollit ia ka anuluar diplomën e kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, një veprim që mund ta pengojë atë të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Turqisë të planifikuara për vitin 2028. Sipas ligjit turk, kandidatët për presidencën duhet të kenë të paktën një diplomë universitare.
Muajin e kaluar, İmamoglu shpalli kandidaturën për president në zgjedhjet paraprake të Partisë Popullore Republikane (CHP), të cilat do të mbahen më 23 mars për të përcaktuar kandidatin presidencial të partisë. Partia më parë kishte deklaruar se İmamoglu do të merrte pjesë në zgjedhje, pavarësisht hetimit mbi diplomën e tij.
Sot, Universiteti i Stambollit u mblodh për të shqyrtuar statusin e diplomës së İmamoglus si pjesë e një hetimi në vazhdim dhe më pas lëshoi një deklaratë duke njoftuar anulimin e saj. Kryebashkiaku e cilësoi vendimin si “të paligjshëm”, shkruajnë mediat turke.
Në deklaratën e universitetit citohet një raport i Bordit Mbikëqyrës të Arsimit të Lartë të Turqisë, i cili zbuloi se İmamoglu ishte në mesin e një grupi studentësh që ishin pranuar në mënyrë të parregullt në Fakultetin e Administrimit të Biznesit përmes një procesi transferimi horizontal në vitin 1990.
Vendimi i universitetit anuloi diplomat e 28 të diplomuarve, përfshirë İmamoglun, duke përmendur “pavlefshmëri” dhe “gabim të qartë” si arsyet e anulimit. Gjithashtu u konfirmua se 10 studentë të tjerë kishin pasur më parë regjistrimet e tyre të fshira për shkak të parregullsive të ngjashme.
Universiteti deklaroi gjithashtu se do të vazhdojë hetimet mbi të gjitha pranimet me transferim horizontal në fakultetet e tij dhe se të gjitha dokumentet e lidhura me këtë vendim i janë dërguar Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit dhe Këshillit të Arsimit të Lartë (YOK).
İmamoglu iu përgjigj vendimit të universitetit në rrjetet sociale, duke e quajtur atë “të paligjshëm”.
Ekrem İmamoğlu: İstanbul Üniversitesi Yönetim Kurulu’nun kararı HUKUKSUZDUR. Böyle bir karar alma yetkileri yoktur. Yetki, sadece İşletme Fakültesi Yönetim Kurulu’ndadır. Bu kararı alanların tarih ve adalet önünde hesap verecekleri günler yakındır. Adalete, hukuka ve demokrasiye susamış milletimizin yürüyüşü durdurulamayacak.
Kurtuluş Yok Tek Başına!