LDK thotë se PZAP-së po i bëhet presion nga Vetëvendosje: S’do të lejojmë që zgjedhjet të shndërrohen në farsë

by Nexhat

Pas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje që e ka paraqitur në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për rivotim me postë për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 9 shkurt ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës.

LDK tha se “dënon ashpër çdo formë të presionit të ushtruar ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke e konsideruar këtë si një ndërhyrje të papranueshme dhe të rrezikshme në një proces që duhet të mbetet tërësisht i pavarur dhe i paanshëm”.

banner

LDK tha se pret që normat demokratike dhe vullneti i qytetarëve të shprehur përmes votës së lirë të respektohen plotësisht dhe pa asnjë kusht.

“Çdo përpjekje për të deformuar apo anuluar këtë vullnet përmes manipulimeve politike përbën një cenim të rëndë të parimeve themelore të demokracisë dhe shtetit të së drejtës”.

LDK ka paralajmëruar se nëse “vullneti i qytetarëve do të përmbyset përmes presioneve të orkestruara”, atëherë partia do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, duke përdorur të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale, për, siç tha ajo, të mbrojtur të drejtën legjitime të votuesve të saj.

“Ne nuk do të lejojmë që zgjedhjet të shndërrohen në një farsë të dirigjuar nga një pushtet që synon të deformojë rezultatin zgjedhor përmes trysnisë dhe manipulimit. Presionet e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndikuar në vendimmarrjen e institucioneve të pavarura dhe për të manipuluar rezultatet zgjedhore duhet të marrin fund njëherë e përgjithmonë. LDK do të vazhdojë të mbrojë pa kompromis integritetin e procesit zgjedhor, duke u angazhuar për një Kosovë ku zgjedhjet mbeten një shprehje e lirë dhe e pacenuar e vullnetit qytetar. Lidhja Demokratike e Kosovës është dhe do të mbetet gardiane e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës, duke garantuar se asnjë tendencë për të deformuar procesin zgjedhor nuk do të kalojë pa u sfiduar”.

Gjatë dorëzimit të tri kërkesave në PZAP, Blerim Sallahu nga LVV-ja pretendoi se në votimin me postë ka pasur manipulime dhe keqpërdorime, që sipas tij, janë orkestruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy