Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama inspektoi të martën Bazën Ajrore të Kuçovës dhe u takua me punonjës të saj, i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.
“Këtu jemi në zonën e dytë të fazës së zhvillimit të bazës ajrore të Kuçovës pasi u inaugurua dhe me mbështetjen e NATO-s. Puna ka vijuar në fakt për ndërtimin e objekteve të reja dhe në fakt jemi në zonën e fortifikuar të depove të municionit të armatimit të raketave dhe bombave drejtuese të aviacionit, ku kemi akomoduar të gjitha municionet dhe bombat drejtuese që kanë ardhur së fundmi, së bashku me dronët kamikazë në zbatim edhe të marrëveshjes me aleatin turk”, shpjegoi ministri Vengu.
“Vijojmë në zonën e dytë ku sapo kanë përfunduar punimet e qendrës stërvitore. Sapo e kemi marrë në dorëzim veprën, sikundër dhe një demonstrim shumë të shkurtër në qendrën operacionale të dronëve Bajraktarë, të cilët janë aktualisht në një mision për qëllime të agjencive civile qe kanë kërkuar monitorimin nga ajri dhe pas disa misioneve qoftë me ministrinë e Brendshme edhe me IKMT-në, sot ishim në luginën e Vjosës dhe janë aktualisht, duke bërë një vëzhgim të territorit. 80% e flotës së helikopterëve është kthyer në operacionalitet të plotë dhe kemi ende disa mjete që shkojnë në riparim dhe kthehen në javët në vijim”.
Vengu gjithashtu shtoi: “Kulla e pilotimit do të vendoset në Vlorë, por duke ditur që baza taktike e NATO-s si kjo, nënkupton edhe ardhjen e shumë pilotëve aleatë, instruktorëve, teknikeve të aviacionit, qoftë amerikanë, qoftë edhe aleatëve të tjerë, ishte absolutisht e nevojshme që të kishim një qendër si kjo me klasa, laboratorë dhe akomodim, sikundër në fakt baza taktike e Kuçovës nënkupton një personel prej 35 personave të dislokuar në mënyrë permanente këtu, duke finalizuar dhe në qytetin e Kuçovës ish –shtëpinë e oficerëve po e rehabilitojmë tërësisht në mënyrë që të qëndrojnë në mënyrë sa më komode i gjithë personeli dhe familjarë”.
Baza Ajrore e Kuçovës po kthehet në një aset strategjik të NATO-s, falë investimeve në infrastrukturë, modernizim dhe trajnime, duke i dhënë Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike. Modernizimi i Forcës Ajrore, përfshirë edhe flotën e dronëve luftarakë, të cilët tashmë shërbejnë edhe për misione civile, mbetet një prioritet kyç për sigurinë kombëtare. Baza do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve shqiptarë.